Juventusit nuk po ja do pa Ronaldon.
Tjetër barazim për Juven, tjetër dështim në Serie A pa Ronaldon. Juventusi mbetet tri pikë prapa liderit, Milanit, skuadra e Stefano Piolit ka një ndeshje më pak të zhvilluar.
Andrea Pirlo është duke hasur në vështirësi në këtë fillim sezoni në stolin e Juventusit.
Skuadra e tij, pas barazimit me Crotonen është ndalur edhe në shtëpi.
“Zonja e Vjetër” barazoi 1-1 me Hellas Veronën në një ndeshje ku mungoi sërish Cristiano Ronaldo, pasi vazhdon të jetë pozitiv me COVID-19.
Të parët në epërsi kaluan mysafirët.
Andrea Favilli shënoi për mysafirët në minutën e 60’, për 0-1.
Juve reagoi duke barazuar rezultatin në minutën e 77’. Ardhja e re, Dejan Kulusevski, shënoi një gol të bukur për 1-1, duke i dhënë shpresa skuadrës së Andrea Pirlos për diçka më shumë në këtë takim.
Por, kjo gjë nuk ndodhi edhe përkundër tentimeve të shumta, duke u mbyllur sfida 1-1.
Pirlo inkuadroi në lojë në minutën e 90’ sulmuesin shqiptar, Giacomo Vrioni, por me vetëm pesë minuta shtesë, nuk kishte se si të ndihmonte Juven.
Juventusi tani gjendet në pozitën e pestë me nëntë pikë, mbetet tri pikë prapa liderit, Milanit, skuadra e Stefano Piolit ka një ndeshje më pak të zhvilluar.