Juventusi e do me çdo kusht Sarrin, por ja çfarë rroge i ka ofruar – Ora Info Ballina | ORAinfo.com - Nuk ndalet

Juventusi e do me çdo kusht Sarrin, por ja çfarë rroge i ka ofruar

14:06 | 01 Qershor 2019

Sarri duket se ka rënë dakord.

Juventusi vazhdon të përparojë në bisedimet e tij, duke e bërë përditë e më të mundshme mundësinë që Maurizio Sarri të jetë zëvendësuesi i Massimiliano Allegrit.

Klubi bardhezi, i përballur me misione të pamundura, që të bindë Pep Guardiolën dhe Mauricio Pochettino për stolin e vet drejtues, është fokusar tërësisht te trajneri aktual i Chelsea.

Ky i fundit ka ende 12 muaj kontratë me klubin e Londrës, por mendohet se presidenti Abramovich nuk është i kënaqur me italianin, ndaj mund ta lejojë të largohet, transmeton telesport.

Enigmë mbetet fakti nëse për këtë do të duhet dëmshpërblim, apo Sarri mund të shkojë si “elektron i lirë” te kampionët e Italisë. Siç raportohet nga “Mirror”, Juventusi i ka ofruar fituesit të freskët të Ligës së Europës një kontratë prej 7 milionë euro në sezon, aq sa merrte Allegri në Torino.

Sarri duket se ka rënë dakord, edhe pse nuk ka hyrë ende në negociata me Chelsean, për t’u çliruar nga marrëveshja në “Stamford Bridge”.

Megjithatë, gazeta britanike në fjalë thekson se këto negociata me blutë nuk do të jenë shumë të ndërlikuara, pasi asnjëherë klubi nuk ka dalë në mbrojtje të punës së italianit.

Sarri, pavarësisht se ka krijuar dyshime, i ka përmbushur objektivat e përcaktuara në këtë sezon. Ai e ka kualifikuar Chelsea në Ligën e Kampionëve (përmes renditjes në vendin e tretë të Premier League, fillimisht), por edhe përmes fitimit të Ligës së Europës.

Komento: