Juventusi mbetet i pamposhtur, rrëmben tri pikë ndaj Interit – Ora Info Ballina | ORAinfo.com - Nuk ndalet

Juventusi mbetet i pamposhtur, rrëmben tri pikë ndaj Interit

22:36 | 07 Dhjetor 2018

Juventus ka ruajtur pathyeshmërinë e saj në këtë sezon të Serisë A dhe ka marrë fitoren e radhës në kampionat. Një fitore që ka qenë më e ëmbël se të mëparshmet, duke parë se ka ardhur kundër rivalëve të përjetshëm të Inter-it, të gjunjëzuar në “Allianz Stadium” nga një goditje me kokë e Mario Manduzkic.

Pjesa e parë është mbyllur në barazim pa gola, por jo sepse dy skuadrat nuk kanë tentuar ta zhbllokojnë rezultatin. I pari që ka shkuar shumë afër realizimit ka qenë Paulo Dybala, goditja e të cilit nga jashtë zone është ndalur nga një pritje e bukur e Samir Handanovic në sekondën e fundit.

Më pas ka ardhur radha e Inter-it të kërcënojë portën e bardhezinjve, teksa Gagliardini ka dalë i vetëm përballë Szczesny-t, por gjuajtja e tij ka përfunduar në shtyllë. Në të 37-ën ka qenë përsëri numri një i zikaltërve që ka shpëtuar rezultatin me një tjetër pritje të bukur, këtë herë pas një goditje me kokë ndaj Chiellini-t.

Pjesa e dytë ka nisur me një tjetër rast të shpërdoruar nga Inter, me Matteo Politano që ka dërguar topin sipër traversës me kokë. Ai që nuk ka gabuar ka qenë Mario Manduzkic, i cili ka zhbllokuar ndeshjen në minutën e 66-të pas një krosimi perfekt të ish-interistit Joao Cancelo.

Ky gol i ka mjaftuar vendasve për të marrë fitoren e 14 në këtë kampionat, që i ka çuar ata në kuotën e 43 pikëve, 11 më shumë se Napoli i vendit të dytë, që do të luajë nesër në shtëpi kundër Frosinone-s. Inter, ndërkohë, mbetet në vendin e tretë me 29 pikë, 14 larg vendit të parë.

Komento: