Juventusi po përgatitet për shitjen e Zhegrovës

21:01 | 13 Nëntor 2026

E ardhmja e Edon Zhegrovës te Juventusi po bëhet gjithnjë e më e pasigurt, pasi klubi italian raportohet se po shqyrton mundësinë e largimit të futbollistit kosovar gjatë afatit kalimtar të janarit.

Sipas mediumit italian “TuttoJuve”, drejtuesit e “Zonjës së Vjetër” janë të gatshëm ta lejojnë largimin e Zhegrovës në rast se në adresë të klubit arrin një ofertë prej 10 deri në 15 milionë eurosh.

Afati kalimtar i janarit pritet të jetë vendimtar për të ardhmen e 27-vjeçarit, i cili mund të kërkojë një skuadër ku do të kishte më shumë hapësirë dhe mundësi për të luajtur.

Për situatën e tij te Juventusi është raportuar edhe në ditët e fundit, ndërsa trajneri Luciano Spalletti është shprehur i pakënaqur me paraqitjet e Zhegrovës deri më tani.

Interesim për shërbimet e futbollistit kosovar ka shfaqur edhe Beshiktashi, sipas raportimeve të fundit.

Zhegrova, ndërkohë, ende nuk e ka nisur asnjë ndeshje të këtij edicioni nga minuta e parë.

Komento: