Juventusi rrezikon të gjobitet deri në 60 milionë euro, pas zbulimit të dokumentit sekret me Ronaldon.
Juventus rrezikon të gjobitet nga 20 deri në 60 milionë euro pasi dyshohet se ka rregulluar pagën e Cristiano Ronaldos me një marrëveshje të pazbuluar në vitin 2020.
Juventusi është sërish në telashe pasi 16 nga drejtorët e tyre, përfshirë presidentin Andrea Agnelli dhe nënpresidentin Pavel Nedved , janë nën hetim për kontabilitet të rremë dhe komunikim të rremë në treg.
Sipas “Le Repubblica”, hetuesit besojnë se Juventusi falsifikoi raportet e tyre financiare për 2019, 2020 dhe 2021, gjithashtu duke fshehur pagesat për disa prej lojtarëve të tyre, përfshirë Ronaldon.
“Bianconerët” njoftuan gjatë pikut të pandemisë COVID se lojtarët do të “falnin” pagat e tyre deri në katër muaj, por ata dyshohet se paguanin lojtarët për tre muaj, duke nënshkruar marrëveshje private me ta, përfshirë Cristiano Ronaldon.
Në fillim të kësaj jave, “La Gazzetta dello Sport” raportoi se hetuesit gjetën një “dokument privat” të nënshkruar nga sulmuesi portugez dhe drejtorët e klubit, ku ish-sulmuesit të “Zonjës së Vjetër” iu premtua se do të merrte 19.9 milionë euro edhe nëse largohej nga klubi.
Juventusi dyshohet se i ka lënë këto pagesa në bilanc dhe nuk i ka komunikuar ato te Lega Calcio. Kësisoj, sipas “La Repubblica, klubi nga Torino mund të gjobitet nga 20 deri në 60 milionë euro për këtë arsye.
“La Stampa” raportoi të hënën se Ronaldo ka refuzuar të sqarojë pozicionin e tij me prokurorin e Torinos.
Juventusi ishte liruar nga akuzat nga Drejtësia Sportive në fillim të këtij viti dhe sqaroi në një deklaratë të martën se “uljet e pagave të rëna dakord me futbollistët në mars 2020 do të ishin negociuar pasi të rifillonin garat dhe të rihapnin stadiumet”.