Juventusi vazhdon sigurt në zonën Champions, e mposht Leccen

21:26 | 03 Maj 2023

Juventusi e mposht Leccen dhe vazhdon sigurt në zonën Champions.

Juventusi ka shënuar fitore të rëndësishme kundër Lecces, në kuadër të xhiros së 33-të në Serie A.

“Zonja e Vjetër” triumfoi me rezultat të ngushtë 2:1 kundër Lecces në “Allianz Stadium” në Torino, shkruan lajmi.net.

Vetëm pas 15 minutave lojë “Bianconeri” siguroi epërsinë e parë me supergolin e Paredes nga gjuajtja e lirë.

Mysafirët nuk u dorëzuan dhe barazuan shifrat në minutën e 36-të kur Ceesay shënoi nga penalltia.

Goli i dytë i Juventusit që në fund rezultoi të ishte i fitores u realizua nga sulmuesi i shumëkritikuar serb, Vlahoviq katër minuta pa përfunduar koha e rregullt.

Përkundër rasteve në fraksionin e dytë të lojës, gola më nuk pati dhe fitorja në fund i takoi Juventusit.

Kjo fitore e ngrit Juventusin në vendin e dytë me 63 pikë, dy më shumë se Lazio që sonte e zhvillon ndeshjen kundër Sassuolos.

Lecce është e 16-ta me 31 pikë dhe vazhdon luftën për mbijetesë.

Komento: