“Ka lënë takim me viktimat, armën e nxori fshehtas”, detaje nga dosja e Prokurorisë ndaj të dyshuarit për vrasjen e dyfishtë në Klinë

20:38 | 14 November 2024

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmë në një lokal të Klinës, ku mbetën në vrarë dy persona. Gjykata Themelore në Pejë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit prej 30 ditësh ndaj të pandehurit Jon Hoti i dyshuar për vrasjen e dyfishtë.

Gazeta Insajderi, ka mësuar se fillimisht i dyshuari kishte lënë takim me viktimat.

Sipas dosjes së Prokurorisë, ai ka nxjerrë armën në mënyrë të fshehur dhe ka shtënë drejt dy viktimave, duke rrezikuar kështu edhe personat e tjerë.

“Kjo duke pasur parasysh mënyrën dhe rrethanat në të cilën është kryer vepra penale ku i pandehuri ditën kritike fillimisht përmes rrjeteve sociale kishte lënë takimin I viktimat, është takuar me viktimat e më pas i ka privuar nga jeta viktimat Rexhep dhe Albison Shlivova, ashtu që ka rrezikuar edhe jetën e personave të tjerë, po ashtu duke marrë parasysh edhe faktin mënyrën e kryerjes ku i pandehuri në mënyrë të fshehur e nxjerrë armën dhe kthehet në drejtim të viktimave për një moment duke shtënë drejt tyre”, thuhet në dosjen që e ka parë Gazeta.

Prokuroria po ashtu ka pretenduar se raportet mes dy familjeve janë të acaruara, pasi familjari i viktimave ka thënë se do marr hak.

“Duhet pas duke pasur parasysh faktin se raportet në mes të dy familjeve janë Të acaruara dhe këtë e bazojë në reportin e oficerit, ku njëri prej familjarëve të viktimave në Spitalin Regjional të Pejës ka deklaruar.. Shteti ka dështuar komplet, ska lidhje që ma vranë djalin se unë kam me nxjerrë hakun gjakun pa u ba sabahi se mi kanë ba dy gjenaze”

“Andaj, referuar të lartcekurave, gjykata konsideron së të gjitha këto rrethana tregojnë rrezikun se me lënien e te pandehurit në liri apo nën ndonjë masë tjetër më të butë, do të mund te kryej ndonjë vepër tjetër penale”, thuhet aty.

Sipas raportit 24-orësh të Policisë, ngjarja ka ndodhur rreth orës 17:17 në rrugën “Mujë Krasniqi” në Klinë dhe është regjistruar si “Vrasje e rëndë”.

Njëri nga viktimat ka ndërruar jetë në vendngjarje, ndërsa i dyti ka ndërruar jetë në Spitalin e Pejës, si pasojë e plagëve të marra. Gjatë ekzaminimit të vendit të ngjarjes, Policia ka sekuestruar armën e zjarrit, me një karikator dhe katër fishekë, si dhe tre gëzhoja.

Komento: