Ka lindur vajzë, e detyruar të jetojë si djalë

09:13 | 23 June 2019

Në shikim të parë, 13-vjeçari Mangal Karimy mund të duket si akëcili djalosh në fshatin e vogël të Afganistanit perëndimor, që mbledh dru zjarri dhe ushqen bagëtitë në fermën e babait. Qetazi i kryen detyrat ditore, tek i tërheq kovat me ujë përgjatë fushave shterp. Ama ka edhe një histori të veçantë, transmeton Koha Ditore shkrimin e CNN.

Deri në moshën dyvjeçare, Mangali ishte Medina, njëra prej shtatë të bijave që u përzgjodh nga prindërit të jetojë si djalë nën traditën afgane, njohur si “bacha posh”, term ky nga gjuha dari përkthehet “i veshur si djalë”.

Për aq sa Mangal mban mend, ai i mbërthen flokët e gjatë nën kapelën e leshtë, vesh xhaketë e pantallona dhe e ndihmon babanë në punët e përditshme në fermën e tij të fshatit të mbuluar me borë Sanjoor, në krahinën Herat.

Në shoqërinë thellësisht patriarkale të Afganistanit, djemtë çmohen shumë më tepër se vajzat – madje deri në atë pikë sa familjet edhe kategorizohen si “jokompetente” kur nuk kanë djem, ka thënë Nadia Hashimi, një pediatre afgano-amerikane dhe autore e bestsellerit të 2014-s pikërisht për traditën “bacha posh”, “The Pearl That Broke Its Shell”.

Vajzat rriten të ushqyera me besimin se janë barrë për familjen, thotë Sodaba Ehrari, kryeredaktor e Agjencisë afgane të lajmeve për gratë (AËNA), e cila ka intervistuar disa prindër të fëmijëve bacha posh.

“Gratë nuk mund të fitojnë para për t’i mbështetur familjet, nuk mund të jetojnë të vetme dhe ka aq shumë arsye të tjera që i shtyjnë ato drejt praktikës patriarkale bacha posh”, ka thënë ajo. Tradita shumëshekullore tregon shumëçka për diskriminimin me të cilin përballen vajzat afgane, me plot kuptimin e fjalës, që prej ditës kur lindin. Mbi të gjitha, “askush që ka vetëm djem nuk i kthen ata në vajza”, thotë Hashimi.

Transicioni është megjithatë jetëshkurtër dhe fëmijët bacha posh pritet që të heqin dorë prej identiteteve mashkullore kur hyjnë në pubertet dhe i kthehen jetesës si vajza – diçka që jo përherë ndodh lehtësisht. Besimi që i jep shtysë traditës është se “këta fëmijë e ndryshojnë fatin dhe fëmija i ardhshëm pas tyre lind djalë”, thotë Hashimi.

Babai i Mangal, Khoda Bakhsh Karimy, thotë se kur familja të bëhet me një djalë, vajza mund t’i kthehet jetës normale….

Komento: