Ende nuk është arritur një marrëveshje mes LDK-së dhe VV-së.
Lëvizja Vetëvendosje dhe LDK ende nuk kanë arritur të pajtohen se kujt do t’i takojë pozita e kryeministrit, tash kur për koalicion parazgjedhor nuk u ka mbetur edhe shumë orë kohë. Isa Mustafa dha sinjale se dy partitë shkojnë vetëm në zgjedhje, derisa tha se do të bashkëpunojnë me Albin Kurtin pas 6 tetorit.
Nga VV po thonë se nuk pranojnë kushtëzime dhe se në zgjedhje shkojnë edhe vetëm.
Zgjedhjet e vitit 2017-të, kishin bashkuar në minutat e fundit Partinë Demokratike të Kosovës, AAK-në dhe Nismën e Fatmir Limajt, me kandidat për kryeministër Ramush Haradinaj.
Në një marrëveshje që pas zgjedhjeve do t’i bashkohej edhe AKR e Behgjet Pacollit, PAN u quajt për dy vite koalicion i natës.
Tash, afati i fundit për të dorëzuar në KQZ koalicionet është në më pak se 24 orë, zyrtarisht në Komisionin e Zgjedhjeve, nuk është dorëzuar asnjë prej tyre, nga dy sa janë nënshkruaj gjithsej deri më tani.
Përveç koalicioneve, asnjë parti ende nuk e ka dorëzuar listën e vetme, në mungesë të ndonjë partneri.
Përderisa AAK është bashkuar me PSD, e NISMA me AKR-në e PD-në, sytë janë kthyer nga Lëvizja Vetëvendosje e LDK. PDK deri më tani ka thënë se preferon bashkim me partitë e vogla.
Partia e Isa Mustafës, që për kandidate për kryeministër ka nominuar Vjosa Osmanin, e ajo e Albin Kurtit nuk po arrijnë që të dakordohen në një pikë – se kush do të udhëheq qeverinë në rast se fitohen zgjedhjet. Të dyja pretendojnë se kandidati i tyre duhet të mbajë këtë pozitë.
Rrugë nuk ju qelën për bashkëpunim as disa takime që patën në mes të vete, derisa, për këtë çështje vendosi që të flasë para mediave sot kreu i LDK-së. Isa Mustafa tha se me VV-në ende nuk kanë arritur darkodimin, duke përmendur pozitën e kryeministrit si një zhagitje që po i bëhet këtij koalicioni të mundshëm.
Ai sqaroi se me partinë e Kurtit gjithsesi do të takohen pas 6 tetorit, atëherë kur elektorati vendos me votë se kush e merr primatin.
Nga Lëvizja Vetëvendosje, në anën tjetër kanë deklaruar për Gazetën Express se kanë vullnet dhe po përpiqen për një koalicion, megjithatë, shprehen se kjo duhet të bëhet pa kushtëzime.
“Ne kemi vullnet dhe sinqerisht po përpiqemi për ta afruar një koalicion me LDK-në. Ajo çka po insistojmë është vetëm që në këtë bashkëpunim të mos ketë kushtëzime. Jemi subjekti më i madh, kemi sigurinë dhe shkojmë vetë në zgjedhje, megjitha që një vit bëjmë përpjekje për të afruar këtë koalicion, por, na vjen keq që po nxjerrin pengesa”, ka deklaruar Arlind Manxhuka nga zyra për media në VV.
Takimet mes LDK-së e VV-së megjithatë nuk po ndalen, ani pse ato po përfundojnë në të njejtën pikë.
Mëngjesi i ditës së djeshme mblodhi zyrtarët e dy partive, të autorizuar për të biseduar për koalicione. Ani pse takimi mes tyre nuk zgjati shumë, përsëri nuk pati rezultat për bashkim.
Express ka konfirmuar gjithashtu se Lutfi Haziri është takuar edhe mbrëmë me zyrtarë të VV-së. Gjithashtu, flitet për një takim që ai pati edhe me kreun e PSD-së, Shpend Ahmetin, por, që nga partia e këtij të fundit nuk kanë konfirmuar një informacion të tillë.
LDK dhe VV kanë diskutuar edhe për mundësinë që posti i kryeministrit të bëhet me rotacion, pra, secila parti nga dy vite kreun e qeverisjes. Edhe ky skenar si duket nuk po gjen pëlqyeshmëri nga të dy palët.
Sidoqë të vendoset, nëse dalin bashkë apo të vetme në zgjedhje, partitë politike në Kosovë kanë kohë vetëm sot deri në orën 00:00 që të deklarojnë koalicionet. Nga KQZ kanë bërë të ditur se asnjë koalicion parazgjedhor nuk është deklaruar deri më tani.
Fushata zgjedhore do të fillojë më 25 shtator derisa zgjatë deri më 5 tetor. Zgjedhjet e jashtëzakonshme në Kosovë është caktuar të mbahen me datën 6 tetor.