Ka mundësi reale që Rusia të fitojë luftën në Ukrainë

17:10 | 22 April 2022

Rusia dhe Ukraina, po vazhdojnë luftën.

Kryeministri britanik Boris Johnson ka thënë të premten se Rusia ka “mundësi reale” të fitores së luftës në Ukrainë, duke e quajtur situatën “të paparashikueshme” për momentin.

Duke folur para reporterëve në New Delhi, Johnson tha se presidenti rus Vladimir Putin ka një “ushtri të madhe”.
“Ai ka një pozicion të vështirë politik për shkak se ai ka bërë një gabim katastrofik. E vetmja mundësi që ai ka tani është të provojë që të vazhdojë me qasjen e tij të tmerrshme të udhëhequr nga artileria, duke tentuar t’i dërrmojë ukrainasit. Ai është shumë afër sigurimit të një ure tokësore në Mariupol tani. Situata është, kam frikë, e paparashikueshme në këtë fazë. Thjesht duhet të jemi realistë për këtë”.

Johnson tha se Britania tani po shqyrton të dërgojë pajisje “përforcuese” në vende të tilla si Polonia, të cilat mund të dërgojnë “armë më të rënda” për të përkrahur rezistencën e Ukrainës, shkruan CNN, transmeton Gazeta Express.

“Ne po shqyrtojmë të dërgojmë tanke në Poloni për të ndihmuar pasi ata po dërgojnë disa nga T-72-të e tyre në Ukrainë”, tha Johnson, duke shtuar se Britania po shikon opsione të tjera si “mbrojtja kundër anijeve”.

“Duhet të shikojmë se çfarë mund të bëjmë më shumë ushtarakisht, duhet të vazhdojmë të intensifikojmë sanksionet ekonomike… dhe duhet gjithashtu të përcaktojmë një vizion për të ardhmen e Ukrainës në arkitekturën e sigurisë së Europës”, tha ai.

Johnson tha gjithashtu se Ambasada Britanike në Ukrainë do të rihapet në Kiev “shumë shpejt”.

Komento: