Ka nisur takimi i krerëve të diplomacisë i cili po mbahet në Tiranë në kuadër të procesit të Berlinit

11:50 | 06 Tetor 2023
ka-nisur-takimi-i-krereve-te-diplomacise-i-cili-po-mbahet-ne-tirane-ne-kuader-te-procesit-te-berlinit

Ka nisur në Tiranë takimi i ministrave të punëve të jashtme të BE-së dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor, i cili po mbahet në prag të samitit të Procesit të Berlinit, të planifikuar për në 16 tetor, po në kryeqytetin e Shqipërisë.

Në takim do të diskutohet për bashkëpunimin rajonal, ku do të marrin pjesë Komisioneri Evropian për Zgjerimin, Oliver Varhelji, si dhe Sekretarja e Përgjithshme e Këshillit për Bashkëpunim Rajonal, Melinda Bregu.

Në takim do të marrin pjesë ndër të tjera ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq, kryeministri i Malit të Zi me mandat teknik Dritan Abazoviq, ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, si dhe ministrja e jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla.

Ministrja e Jashtme gjermane, Analena Berbock, e cila ndodhet gjithashtu në Tiranë, tha para takimit se çështje që do të diskutohet në margjinat e takimit është edhe siguria në rajon.

Ka shumë interes për ngjarjen nga mediat shqiptare dhe të huaja./FrontOnline/

Komento: