46-vjeçari ka parë katër herë ‘vdekjen me sy’ si pasojë e koronavirusit.
Disa mund të ndihen me fat, pasi kjo pandemi globale nuk i sulmon në mënyrë agresive.
Ndërsa disa të tjerë që janë “përqafuar” me sëmundjen, kanë hasur një beteje të ashpër me të.
E tillë është dhe historia e 46-vjeçarit nga Filipine Francis Naratefeliciano.
Ai për mbi 72 ditë ka qëndruar në njësinë e kujdesit intensiv, nën pushtetin e “ventilatorëve” dhe rreth katër herë, ka pësuar dëmtime në tru e ka rrezikuar së tepërmi të ndërrojë jetë.
Francis thotë se filloi të ndjej simptomat e COVID-19 në muajin prill, kishte temperaturë të lartë, kollë të thatë dhe ethe.
Pasi shkoi në spital mësoi se ishte i infektuar me virusin vdekjeprurës.
Mjekët e këshilluan që të shtrohej në spital dhe që nga ajo ditë gjendja e tij shëndetësore po përkeqësohej gjithnjë e më shumë.
“Pacienti ishte në gjendje shumë kritike, kishte vështirësi në frymëmarrje dhe në shumë raste ventilatori nuk e furnizonte me oksigjen. E kishte të nevojshme të vendosej nën intubim”, u shpreh mjeku Hayder Matouk, i cili po trajton në spital Francis.
Më tej ai shtoi:
“Ne rreth katër herë kemi humbur çdo shpresë për Francis, por ai rezistonte edhe pse ‘gjysmë i vdekur’ luftonte për jetën. Mushkëritë e tij janë dëmtuar përgjithmonë, përjetimi i sëmundjes i ka bërë atij që herë pas here të humbasë përkohësisht kujtesën”.
Në lidhje për sëmundjen ka folur dhe vetë 46-vjeçari. Ai iu shpreh falenderues Zotit që sot është ende në jetë . Gjithashtu nuk mungoi nga ai dhe një falenderim për stafin e spitalit, të cilët i quan familje.
“Falenderoj Zotin që i mbijetova kësaj fatkeqësie të tmerrshme dhe falenderoj spitalin që nuk hoqi dorë nga unë dhe u kujdes aq shumë. Ndihem më mirë tani. Jam në gjendje të flas me familjen time me anë të platformave online. Shpresoj të shërohem plotësisht dhe pres me padurim të takoj gruan dhe djalin”, tha Francis.