“Ka tentuar të sundojë”, “Mendësia e Kurtit s’ka të ardhme”, reagimet nga PDK e LDK pasi nuk u bë qeveria e re

08:02 | 27 Tetor 2025

Seanca e djeshme e Kuvendit përfundoi pa zgjedhjen e ekzekutivit të ri, pasi mandatari, Albin Kurti, nuk i siguroi 61 votat e nevojshme.

Pasi Kurti nuk i pati numrat dhe dështoi të krijoi qeverinë e re, nga PDK e LDK pohuan se ata nuk mbështetën arrogancën dhe propagandën e kreut të VV-së.

Sekretarja e përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku, pasi Kurti sot dështoi të formojë qeverinë e re në mungesë të numrave, ka thënë se kreu i VV-së ka tentuar të sundojë sepse nuk ka ditur të qeverisë.

Ajo përmes një postimi në Fcaebook ka shkruar se deputetët i treguan se kjo mendësi nuk kalon.

“Tërë profilin politik e ka ndërtuar mbi polarizim, fyerje dhe manipulim. Ka tentuar të sundojë, sepse nuk ka ditur të qeverisë. Për pesë vite me radhë, ka sulmuar gjykatat, prokurorinë, mediat, bizneset dhe sindikatat. Ka goditur këdo që nuk i është nënshtruar. Edhe, i njëjti diskurs: “Ejani e më votoni, sepse ashtu po them unë.”

“Por koha e arrogancës po mbaron. Demistifikimi i figurës së tij filloi ditën e parë që mori pushtetin. Tendencat totalitare u panë menjëherë. Të zgjedhurit e popullit i treguan qartë se kjo mendësi nuk kalon”, ka shkruar Çitaku.

Kurse, nënkryetarja e LDK-së, Doarsa Kica-Xhelili, pasi Kurti nuk mori votat e mjaftueshme për ta bërë qeverinë tha se tha se propaganda e demagogjia nuk gjejnë mbështetje.

“Veni, vidi, mentitus sum! ~ realiteti politik i Kurtit. Bllokada, vonesa, demagogji, vendime të paligjshme, shkelje kushtetuese, propagandë, e në fund seancë ku dëshmoi që ai është saktë ajo që ai nuk e thotë. Ajo gjuhë nuk ka mbështetje. Ajo demagogji nuk gjen numra. Ajo mendësi nuk ka të ardhme”.

“Në krejt këtë rrëmujë, mandatari Kurti kishte shkuar aq larg sa t’a kopjonte planin e LDK: Ministri të Familjes; të Digjitalizimit; ndarje të Infrastrukturës nga Planifikimi etj. T’a kopjojnë edhe munden, por për t’a zbatuar i duhen njerëzit profesional, racional, me mendësi progresi e jo përçarëse – që këta NUK i kanë. In proximo nostro proelio!”, ka shkruar ajo.

Kujtojmë se pasi dje nuk u formua qeveria e re, Kushtetuta e Kosovës përcakton që presidenti i Kosovës duhet të emërojë një mandatar të dytë për kryeministër brenda dhjetë ditësh, i cili i ka gjasat më të mira për të formuar Qeverinë.

Kreu i partisë së dytë të dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit, Memli Krasniqi nga Partia Demokratike e Kosovës, ka thënë se do t’i kërkojë presidentes Vjosa Osmani që të shkohet në zgjedhje menjëherë.

E sipas Kushtetutës, zgjedhjet duhet të mbahen brenda 40 ditëve nga data e shpalljes.

Deri atëherë, Qeveria në detyrë do t’i kryente detyrat e saj.

Komento: