Kaçanik, certifikohen 39 mësimdhënës pjesë e projektit të BE-së

16:58 | 02 Korrik 2024
kacanik,-certifikohen-39-mesimdhenes-pjese-e-projektit-te-be-se

Janë certifikuar 39 mësimdhënës kaçanikas të cilët ishin pjesë e programit “Vlerësimet e udhëhequra nga kolegët”, një projekt ky i mbështetur nga Zyra e BE-së në Kosovë.

Kryetari i kësaj komune, Besim Ilazi ka përgëzuar dhe uruar mësimdhënësit për kontributin e tyre, ndërkaq tha se realizimi i këtij projekti ndikon në ngritjen e cilësisë në mësimdhënie dhe nxënie si dhe shkëmbimin dhe përmirësimin e metodologjisë së mësimdhënies.

Ilazi, në veçanti e ka falënderuar Robert Blease, udhëheqës i programit nga Zyra e Be-së  për punën dhe përkushtimin e tij në këtë projekt e po ashtu ka falënderuar edhe Bashkimin Evropian për realizimi e projektit.

Ndërkaq, Blease, ka falënderuar kryetarin e komunës Ilazi dhe drejtorin e Drejtorisë së Arsimit, Zahir Doda, për mbështetjen e këtij projekti. Ai po ashtu, është shprehur shumë i kënaqur me angazhimin dhe përkushtimin e parezervë të mësimdhënësve të cilët ishin pjesë e projektit “Vlerësimet e udhëhequra nga kolegët”.

Në anën tjetër Zahir Doda, drejtor në DKA e ka falënderuar Blease dhe Zyrën e BE-së, ndërsa e ka vlerësuar punën e mësimdhënësve  të ekipit vlerësues dhe i ka inkurajuar ata për punë dhe angazhime të mëtejme.

Përndryshe programi i trajnimit “Vlerësimi nga kolegët” është realizuar në tri shkolla të Komunës sonë: në SHFMU “Idriz Seferi” në Bob, “Qamil Ilazi” në Kaçanik të Vjetër dhe “Emin Duraku” në Kaçanik, ndërkaq do të vazhdohet edhe me shkolla tjera të Komunës sonë, njofton Komuna e Kaçanikut.

Komento: