Kaçaniku për paratë e falsifikuara: Është dashur të ketë reagim të menjëhershëm, të kontrollohet kufiri

18:02 | 30 Dhjetor 2023
kacaniku-per-parate-e-falsifikuara:-eshte-dashur-te-kete-reagim-te-menjehershem,-te-kontrollohet-kufiri


Konsumatorët e bizneset pothuajse çdo ditë po përballen me probleme sa u përket parave false.

Që ky fenomen është bërë problem i madh në vend për Front Online e thotë edhe Selatin Kaçaniku nga shoqata “Konsumatori”.

“Natyrisht që është bërë një problem shumë i madh për arsye sepse ka vite e vite që po e durojmë këtë terror me para të falsifikuara qoftë në monedha metalike, qoftë në kartëmonedha. Me vonesën e reagimeve, me vonesën e ndërmarrjes së masave të duhura ne tash kemi probleme jo vetëm me 2 euro false, por edhe me 1 euro, 0.50 cent”, ka deklaruar ai për Front Online.

Që të mos ndodhin këto probleme me para false, Kaçaniku thotë se reagimi i parë është dashur të bëhet në pikat kufitare.

“Ajo që është dashtë të bëhet ka qenë dashtë që të reagohet menjëherë dhe reagimi i parë është dashtë të bëhet në kufi, sepse këto para natyrisht që nuk kanë hyrë në rrugë bankiere por kanë hyrë në rrugë ilegale.Pra këto më nuk guxojnë të na ndodhin, pra kufiri duhet të ketë kontroll më të fortë, pro edhe qytetarin konsumator qeveria përmes mekanizmave dhe institucioneve që i ka duhet ta informojë, ta vetëdijësojë, ta mësoj për të qenë partner i shtetit siç po shihet inspektimet janë të mangëta dhe të pamjaftueshme”, është shprehur Kaçaniku.

Me Kodin Penal të Kosovës, kushdo që prodhon, vë në qarkullim, transporton, pranon, përdor ose posedon para të falsifikuara, me qëllim që t’i vendosë në qarkullim si të vërteta, dënohet prej 1 deri në dhjetë vjet burgim./Front Online

Komento: