Veseli: Ky është kryeministri ideal që i duhet Kosovës.
Data për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës është caktuar më 22 gusht dhe të gjitha partitë politike duket se i janë përveshur punës për zgjedhjet e parakohshme. Kur të gjithë po prisnin lëvizjen e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, për t’i nisur konsultimet me partitë rreth një mandatari të ri për kryeministër, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, i cili njëherësh është edhe kryetar i PDK-së, vendosi të thërrasë seancë për shpërndarjen e Kuvendit.
Në një intervistë për gazetën “Zëri”, Veseli shuan çfarëdo mëdyshje lidhur me mbajtjen e zgjedhjeve, duke thënë se institucioneve të Kosovës u duhet një legjitimitet i ri qytetar. Ai ka folur edhe për koalicionet e mundshme, si do të shkojë PDK-ja në këto zgjedhje dhe çfarë u premton qytetarëve.
Lufta kundër korrupsionit dhe nepotizmit për ta bërë Kosovën një vend të jetueshëm për të rinjtë që po largohen, është besimi i tij se PDK-ja do t’i fitojë zgjedhjet dhe se është kryeministri i duhur për ta bërë këtë.
Ai thotë se këtë betejë e ka nisur në partinë e tij dhe do ta vazhdojë edhe për shtetin e Kosovës. Duke folur për raportet me aleatët, Veseli ka thënë se Kosovës i duhet një kryeministër, i cili është i respektuar dhe i mirëpritur në Uashington dhe në Bruksel.