Kadri Veseli i provokon LDK-në dhe Vetëvendosjen: Po kanë frikë nga zgjedhjet – Ora Info Ballina | ORAinfo.com - Nuk ndalet

Kadri Veseli i provokon LDK-në dhe Vetëvendosjen: Po kanë frikë nga zgjedhjet

13:39 | 05 Janar 2019

Kadri Veseli ka kritikuar LDK-në dhe Vetëvendosjen se po i frikësohen zgjedhjeve.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka thënë se formimi i Ekipit Shtetëror i cili do të shkojë në Bruksel më 8 janar, është nismë e mirë dhe se përgjegjësia shtetërore në procesin e vendimmarrjes në fazën finale të dialogut me Serbinë, është duke u jetësuar.

E ka mirëpritur përfshirjen e PSD-së në këtë Ekip, ndërsa, shpreson që të ketë reflektim edhe nga LDK-ja e VV-ja.

“Po besoj se një reflektim i tillë nga një pjesë e opozitës është lajm i mirë. Shpresoj të kemi reflektim edhe nga dy partitë tjera opozitare, LDK dhe VV, që ta ndjekin shembullin e përgjegjësisë shtetërore”, tha ai.

Sipas tij, nga ky proces, Kosova pret njohjen nga Serbia dhe ulësen në OKB.

Veseli, që është edhe kryetar i PDK-së, në “Intervistën e Javës” në Koha.net, ka folur edhe për idenë e presidentit Hashim Thaçi për shkëmbim territoresh, ide kjo e cila kohët e fundit, nuk është përmendur nga kreu i shtetit.

“Serbia duhet ta njohë Kosovën e 17 shkurtit 2008. Ne do të marrim obligimet tona shtetërore ndaj të gjitha komuniteteve dhe rrugëtimi ynë është shumë i qartë, me SHBA-të në partneritet të ngushtë dhe miqësi të përjetshme, me Bashkimin Evropian si shtëpi tonën”, ka thënë Veseli.

Ai tha se me t’u formuar Ekipi Negociator, ku bashkëkryesues janë Fatmir Limaj dhe Shpend Ahmeti, raportet me Thaçin janë shumë korrekte dhe institucionale.

“Hashim Thaçi është President i Republikës së Kosovës, me legjitimitet dhe autoritet të plotë. Është njeri me bagazh historik, por edhe të perspektivës. Në dialog, ai do ta luajë rolin e vet që ia jep Kushtetuta”, tha tutje Veseli.

Veseli ka folur edhe për kërkesën e partive opozitare për të shkuar në zgjedhje. Por, ka thënë se ato kanë frikë nga zgjedhjet.

“Vetëvendosje, e në mënyrë të veçantë LDK, nuk po bëjnë gjë tjetër pos aspektit deklarativ. Realisht, kanë frikë nga zgjedhjet”, tha ai.

Kryekuvendari, në këtë intervistë flet edhe për aktivizimin e Gjykatës Speciale, kohën kur gjatë luftës ishte ‘Luli’ e më pas u bë shef i SHIK-ut, se bashkëpunëtor e kishte “Gjarprin”, formimin e Ushtrisë së Kosovës, raportet me NATO-n, koalicionin PAN e shumë çështje tjera.

Komento: