Kadri Veseli kujton 11 shtatorin, ka një mesazh për amerikanët

12:37 | 11 September 2019

Sot po shënohet 18 vjetori i sulmeve në SHBA.

Kreu i PDK-së, Kadri Veseli, me rastin e 18 vjetorit të 11 shtatorit, ka thënë se terrorizmi është një e keqe për gjithë njerëzimin.

“Para 18 vjetësh, më 11 shtator 2001, shtetet paqedashëse me demokraci të lira përjetuan një tragjedi botërore. Mijëra jetë të pafajshme të njerëzve me kombësi të ndryshme u shuan prej sulmeve terroriste në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat ishin më të rëndat në historinë e njerëzimit”, ka shkruar Veseli në Facebook.

Ai shton se së bashku me rreth 3000 viktimat e pafajshme të mbi 70 kombësive të ndryshme, sot i kujtojmë edhe tre bashkëkombësit tanë që humbën jetën atë ditë: Mon Gjonbalajn, Simon Dedvukajn e Rrok Camajn.

“Vdekja e tyre tregon se ai sulm na ka prekur të gjithëve dhe se terrorizmi është një e keqe për gjithë njerëzimin, pa dallim kombi, feje e race”, thotë Veseli.

Veseli shton se Kosova është rreshtuar bashkë me popujt e lirë, me SHBA-në në krye, në koalicionin global për ta luftuar terrorizmin. Kurse, brenda e jashtë vendit, promovon me shumë përkushtim liritë universale që parandalojnë ekstremizmin e dhunshëm.

Komento: