
Në Gjykatë Speciale sot dhanë fjalën përfundimtare avokatët mbrojtës. Pasi përfundoi deklarimi i tyre radha është tek deklarimet përmbyllëse të ish-krerëve të UÇK-së që po mbahen në Hagë.
Kadri Veseli aty tha se nuk e ka parë dhunën dhe hakmarrjen si udhërrëfyes.
“Në fund të gjykimit tim po ju drejtohem për të theksuar se gjykata duhet të mbrojë të vërtetën, drejtësinë dhe paanësinë. I kam shërbyer tërë jetën vendit tim. Kam besuar gjithmonë se populli i Kosovës si çdokush tjetër ka të drejtën për liri, dhe kurrë nuk kam besuar që dhuna e hakmarrja mund të jenë udhërrëfyes”, tha ai.
Ai tha se tha se veprimet e tij ishin ligjore.
“Unë e di kush jam, çfarë kam bërë e çfarë nuk kam bërë. Veprimet e mia kanë qenë ligjore.
Veseli theksoi se drejtësia ndonëse mund të vonohet, ajo nuk mund të mohohet.
“Edhe ne momentet më të errëta nuk e humba besimin se e vërteta do të triumfojë. Liria nuk mund të arrihet prej padrejtësisë. Familja ime dhe unë kemi jetuar në persekutim të vazhdueshëm. Unë e di çka do të thotë të jetosh në kërcënim të vazhdueshëm, kjo është një përvojë qe nuk do të ia dëshiroj askujt. Pas dekadash hetime dhe dokumentesh, nuk ka asnjë provë se kam kryer krime”, shtoi Veseli.
Edhe Thaçi ka mohuar të gjitha akuzat që janë ngritur në drejtim të tij nga Prokuroria Speciale.