Kadri Veseli thotë se stacioni i trenit në Prishtinë do të bëhet muze i dëbimit të dhunshëm të shqiptarëve nga forcat serbe

13:39 | 15 May 2019

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, i shoqëruar nga ministri i Kulturës, Kujtim Gashi dhe nga menaxenti i Infrakos-it, ka vizituar lokacionin tek stacioni i trenave në Prishtinë, i cili sipas propozimit të kryeparlamentarit Veseli do të shndërrohet në muze të dëbimit të shqiptarëve dhunshëm nga forcat serbe gjatë luftës në Kosovë.

Kryeparlamentari Veseli tha se ky muze do të jetë një kujtesë për të gjitha brezat dhe gjithë botën demokratike, për të kujtuar formën dhe vendin e depërtimit të dhunshëm të dhjetëra mijëra qytetarëve të Prishtinës nga pronat e tyre.

“Shqiptarët kanë pasur dëbime në mënyrë historike. Vetëm ta mendojmë dëbimin nga Sanxhaku i Nishit dhe vise të tjera. Unë sot jam këtu për të dëshmuar edhe njëherë përkushtimin e institucioneve për të marrë vendime të drejta. Ato nuk janë të drejtuara kundër askujt, por për t’i dhënë perspektivë rajonit dhe që e vërteta të dalë në shesh. Dhe kjo e vërtetë është se shqiptarët, janë dëbuar, vrarë e masa kruar në mënyrë të organizuar nga shteti serb“, tha Veseli.

Ai shtoi se Serbia ka kryer gjenocid mbi shqiptarët dhe se ky realitet nuk do të harrohet, ndërsa krimi inelët do të përgjigjen për krimet e tyre.

“Nesër, Kuvendi do të propozojë që ky stacion i trenit të shndërrohet në muze të dëbimit të shqiptarëve. Le të vijnë gjeneratat e reja, le të vijnë edhe ndërkombëtarët dhe le ta shohin atë copë të realitetit tonë të para 20 vjetëve“, theksoi kryeparlamentari Veseli.

Ali Kadrolli, i cili personalisht me familje e kishte përjetuar dëbimin e dhunshëm me tren, ka rrëfyer se si i ka hipur nëpërmjet dritareve të trenit prindërit e tij të cilët më pas janë depërtuar për në Maqedoni.

Ai tha se kjo iniciativë e kryeparlamentarit Kadri Veseli është shumë e qëlluar dhe do të mbetet gjithmonë në kujtesën e qytetarëve.

Komento: