Kadri Veselin e sfidojnë bashkëpartiakët

08:14 | 01 July 2019

Bashkëpartiakët e sfidojnë Kadri Veselin.

Me vendimin e Kadri Veselit për largim nga detyra zyrtare të bashkëpartiakëve që kanë aktakuza nuk po pajtohen disa nga themeluesit e PDK-së. Sami Lushtaku e Sokol Bashota vazhdojnë t’i mbajnë postet e tyre si krerë të PDK-së në Skenderaj e në Klinë ndonëse kanë të ngritura aktakuza. Njohës të çështjeve politike në vend konsiderojnë se me këtë vendim kryetari i PDK-së po has në rezistencë nga njerëz të krahut të Hashim Thaçit, shkruan sot gazeta “Zëri”.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ka nisur të sfidohet nga disa bashkëpartiakë të tij për vendimin që ka marrë për t’i larguar nga pozitat zyrtare anëtarët e partisë të cilët kanë probleme me ligjin. Ndonëse pothuajse është bërë gjysmë muaji që Veseli ka liruar nga detyra partiake dhe institucionale zyrtarët e partisë që kanë aktakuza, jo të gjithë anëtarët e PDK-së e kanë përfillur këtë vendim.

Në Skenderaj e në Klinë ende vazhdojnë të qëndrojnë në krye të degëve të PDK-së Sami Lushtaku e Sokol Bashota. Lushtaku ka vuajtur dënim me 7 vjet burg për krime lufte dhe për të njëjtën çështje ai ende ka një aktakuzë të ngritur nga EULEX-i, pasi ishte arratisur nga QKUK-ja gjatë kohës sa vuante dënimin. Mirëpo ai deklaron se as Kadri Veseli dhe as Hashim Thaçi nuk mund ta largojnë prej Partisë Demokratike të Kosovës, një gjë të tillë Lushtaku thotë se do ta bëjë kur të dojë vetë dhe jo për hir të reformave të Veselit.

Në një njoftim me shkrim Sami Lushtaku është shprehur se nuk është ai që duhet të largohet nga partia, por disa anëtarë të tjerë, që sipas tij kontrollojnë drejtësinë e bizneset në Kosovë. Edhe Sokol Bashota në fund të majit të këtij viti është dënuar nga gjykata me 6 muaj burgim me kusht dhe një mijë euro gjobë për “Deklarim të rrejshëm të pasurisë”. Por ndonëse është i dënuar, ai është shprehur se nuk ka marrë ndonjë kërkesë nga Veseli për lirim të detyrës.

Komento: