Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Time Kadrijaj, ka kritikuar ashpër qeverisjen e kryeministrit Albin Kurti në Kuvendin e Kosovës, duke akuzuar atë dhe kabinetin e tij për keqadministrim dhe abuzim me detyrën.
Gjatë një deklarate të fortë nga foltorja e Kuvendit, Kadrijaj ka thënë se kjo qeveri ka “vjedhur aty ku nuk duhej” dhe ka “goditur atje ku s’duhet”, duke përmendur veçanërisht trajtimin e Ushtrisë dhe Policisë së Kosovës.
“Jeni marrë me vjedhje dhe keqpërdorim të parave publike, keni goditur ushtarët dhe policët të cilët sot po hanë bukë e pashteta,” u shpreh Kadrijaj, duke akuzuar qeverinë se ka lënë pa uniforma trupat e sigurisë dhe ka degraduar nivelin e administratës shtetërore.
Ajo vazhdoi me kritika të ashpra për keqmenaxhimin e projekteve infrastrukturore.
“S’keni qenë në gjendje as të përfundoni një rrugë! Keni vjedhur, keni sakatuar dhe s’keni punuar fare,” shtoi deputetja.
Kadrijaj po ashtu e akuzoi kryeministrin Kurti dhe qeverinë e tij për nepotizëm, duke thënë se “hallat dhe tezet e Kurtit janë vendosur në pozita të dikastereve, duke i siguruar atyre rehati financiare pa merita.”
“Qeshuni sa të doni, por duhet t’ju vijë marre kur çdo ditë po dalin hajnit nga ju. Kjo qeveri ka degraduar çdo nivel të shtetit dhe ka abuzuar me besimin e qytetarëve.”