Kadrijaj: Kërkesat e ShBA për zbatim të marrëveshjes janë normale pasi janë pranuar nga Kurti

12:47 | 04 Korrik 2024
kadrijaj:-kerkesat-e-shba-per-zbatim-te-marreveshjes-jane-normale-pasi-jane-pranuar-nga-kurti

Anëtarja e Komisionit për Integrime Evropiane, deputetja e AAK-së Time Kadrijaj, ka thënë se kërkesat e ambasadorit amerikan Jeffrey Hovenier, që Kosova dhe Serbia t’i zbatojnë pa parakushte dhe urgjentisht obligimet nga dialogu, janë normale pasi sipas saj, kryeministri Albin Kurti i ka pranuar formimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.

Ajo ka shtuar se Kryeministri Kurti është duke mohuar se ka pranuar marrëveshjen e Brukselit, aneksin e zbatimit të Ohrit edhe “Zajednicën”, kështu sipas saj ai është duke luajtur një lojë të dyfishtë.

“Në fakt tash këto ekzibicionet e Kurti meqenëse jemi në vetë-qeverisës po i mohon që i ka pranuar në marrëveshjen e Brukselit, aneksin e zbatimit të Ohrit që e ka pranuar edhe Zajednicën të famshme që e ka pranuar draft statusin e Asociacionit. Po në të kundërtën e ka pranuar para ndërkombëtarëve dhe në Kosovë tash po luan një lojë tjetër të dyfishtë duke thënë që unë se kam pranuar sepse nuk i kam nënshkruar ndërsa i ka pranuar dhe normal që ndërkombëtarët duke qenë se janë zotuar në një tavolinë diskutimi të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kërkojnë të mbahen zotimet”, ka thënë ajo EO.

Deputetja e AAK-së ka thënë se Kryeministri Kurti nuk është dashur fare ta pranoj draftin e Asociacionit në fillim në Bruksel se sa tani, të bëjë politika për të ruajtur votën duke dëmtuar kështu  raportet me aleatët.

“Kurti më mirë ka qenë të mos e pranoj fare draftin e Asociacionit në tavolinën në Bruksel, e të thotë që ky është anti-Kushtetues, që ka pushtet të tretë që është një vetë-qeverisje e cila i bënë dëme Kosovës dhe jo ta pranoj pa asnjë hezitim. Ndërsa tash ti bëjë këto politika duke dashur të ruaj votën dhe duke dashtë të ruaj përkrahjen qytetare. Kjo nuk është e drejtë sepse po i dëmton raportet e Kosovës me aleatët ndërkombëtarë dhe me partnerët tanë dhe e shini cila është qasja e kësaj qeverie në arenën ndërkombëtare”, ka thënë ajo.

Kadrijaj ka thënë se me sjelljeje të pa matura të qeverisë Kosova tash e sa kohë nuk ka marrur as një njohje të re e as anëtarësime në organizata ndërkombëtare.

“Subjektiviteti i Kosovës se kemi asnjë njohje të re, nuk kemi asnjë anëtarësim në organizatat ndërkombëtare me veprime të pa-matura po i kushton Kosovës, sepse tash për heqjen e masave po kërkohet një koncesion që është zbatimi i Asociacionit do të thotë nuk po fitojmë asgjë as me Asociacionin as me tokat e Manastirit të Deçanit. Nuk jemi as pjesë e Këshillit të Evropës dhe ndoshta koncesione të tilla është dashtë me u bo për të qenë pjesë e NATO-s, për të qenë pjesë e Bashkimit Evropian jo për me u kthyer në situatën të cilën kemi qenë tash na të bëjmë koncesione. Kjo është Qeveria Kurti, Qeveria e shpresës të cilët në fakt po e rrënojnë shtetësinë e Kosovës dhe po e dëmtojnë subjektivitetin e Kosovës në arenën ndërkombëtare”, ka thënë ajo.

Komento: