
Deputetja e Aleancës, Time Kadrijaj, ka kritikuar gjendjen aktuale institucionale në vend, duke thënë se bllokada politike po reflektohet edhe në sektorë të rëndësishëm si arsimi dhe shëndetësia.
Kadrijaj, në një prononcim për media, tha se Kosova po përballet me ngecje në shumë fusha, ndërsa përgjegjësinë për këtë situatë është e kryeministrit në detyrë Albin Kurti.
“Përderisa në çdo sektor kemi ngecje, ne po ballafaqohemi edhe me probleme të tjera. Një njeri që i ka fituar zgjedhjet, nuk po i kthen institucionet, nuk po e konstituon Kuvendin dhe e ka çuar vendin në një bllokadë. Ndërkohë, fëmijët po përballen me probleme në sigurimin e teksteve shkollore, si pasojë e komplikimeve që i ka shkaktuar Ministria e Arsimit. Shkollat e kanë filluar procesin mësimor pa ditarë, ndërsa problemet vazhdojnë.
Në anën tjetër, pacientët po përballen me mungesë të barnave në Onkologji dhe në sektorë të tjerë, duke u detyruar t’i blejnë vetë, ndonëse e dimë se kostoja e tyre është e lartë. Po ashtu, Ministria e Shëndetësisë prej vitesh nuk ka hapur konkurse për pranimin e specializantëve, të cilët kërkojnë të avancohen në fushën e shëndetësisë dhe të ofrojnë trajtimet përkatëse”, ka thënë Kadrijaj.