
“Z.Kurti qenka dakorduar me Radojiiqin me një njeri që është në listën e zezë, një njeri që kërkohet nga organet e gjyqësisë dhe me të paskan vendos që në ligjin për pagën minimale të mos përfshihen veteranët e luftës”, kështu ka deklaruar deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj në një intervistë për Front Online deri sa ka folur për audio-incizimet e shefes së grupit parlamentar të VV-së, Mimoza Kusari-Lila me përfaqësuesin e Listës Serbe, Sllavko Simiq.
Ajo thotë se kjo që ka ndodhur është e tmerrshme, pasi që ka qenë vet Lëvizja Vetëvendosje e cila sa ka qenë në opozitë i ka kundërshtuar qeveritë e tjera për bashkëpunim me Listën Serbe, vetëm në instanca qeveritare.
“Është e tmerrshme sepse çdo qeveri është akuzuar nëse ka bashkëpunuar në instanca qeveritare, nëse qeveritë dhe kryeministrat e tjerë kanë bashkëpunuar me Radojiciqin ku akuzoheshin nga Lëvizja Vetëvendosje ai në atë periudhë nuk ka qenë në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe nuk ka qenë i përndjekur nga organet e gjyqësisë së Kosovës dhe secili është akuzuar ndërsa ne në këtë periudhë jemi akuzuar si opozitë kur kemi kërkuar që a jeni dakorduar me SHBA-të për veprimet që i ka bërë z.Kurti në veri dhe jemi ironizuar me dakordancë apo pa dakordancë”, ka thënë deputetja Kadrijaj.
E, pyetur se sa qëndron deklarimi i Kusari-Lilës që kryeministri Kurti nuk ka qenë në dijeni për këtë bisedë, por se i ka treguar më vonë, Kadrijaj thotë se kjo nuk është aspak e vërtetë.
“Nuk qëndron ajo sepse në Lëvizjen Vetëvendosje asgjë nuk guxon të bëhet sepse e tëra edhe grupi parlamentar edhe Kuvendi siç e thash më parë por edhe presidenca kontrollohet nga z.Kurti sepse në ditën kur ndodhi incidenti në parlament është dashtë të mbyllet seanca dhe të caktohet një ditë tjetër”, është shprehur ajo.
Veteranët kanë paralajmëruar protesta dhe bllokim të punës së Kuvendit për Ligjin për Pagën Minimale që nga 26 korriku, por se janë tërhequr deri në vendim të Gjykatës Kushtetuese.
Interpretimi ose përgjigja e Gjykatës Kushtetuese për ligjin për pagën minimale i cili përfshinë edhe kërkesat e veteranëve të UÇK-së, sipas avokatëve duhet të bëhet publik brenda 60 ditëve, për shkak se i njëjti nuk është fuqi-plotë pasi nuk është dekretuar nga Presidentja.