Kallëzim Penal ndaj Naim Tërnavës, kjo është arsyeja

14:32 | 16 Prill 2019

Është ngritur Kallëzim Penal ndaj Kreut të BIK-ut, Naim Tërnavës.

Teologu nga Vushtrria, Emin Behrami, pretendon që Tërnava, i cili gjatë vitit 2002 ushtronte pozitën e kryetari të Kuvendit të BIK-ut , ka vjedhur një shumë prej 300 mijë markash.

Për këtë vetë Behrami ka dorëzuar një Kallëzim Penal, në Prokurorinë Themelore të Prishtinës.

Emin Behrami në kallëzimin e ngritur thotë që vetë Tërnava e kishte pranuar para Këshillit, se I kishte nxjerrë personalisht ato mjete nga banka, për të cilat më vonë kishte thënë se I kishte future në buxhetin e medresesë ‘Alaudin’.

Sipas tij për një veprim të tillë Tërnava nuk kishte pasur kurrfarë mbulese.

Behrami thotë se përveç tjerash është e palejueshme që të nxjerrësh një sasi të madhe parash, për t’i dërguar në arkën e medresesë ‘Alaudin’ , e cila nuk kishte kurrfarë sigurie.

Sipas Behramit një veprim i tillë i Tërnavës është kriminal dhe thotë që për një gjë të tillë ai asnjëherë nuk është ndjekur nga drejtësia.

“Edhe më keq se kjo, Tërnava në prag të shpalljes së vetvetës si Mufti i BIK-ut në vitin 2002, i vodhi 300.000 DM (treqind mijë marka gjermane), për fatin e të cilave kurrë nuk u njoftuan muslimanët, ndërsa këtë veprim kriminal ai e ka pranuar publikisht. Ato humbën në pikë të ditës, ndërsa kurrë nuk u ndoq, sepse ishte kryetar i Kuvendit të BIK-ut dhe drejtor i Medresesë, vepër penale kjo të cilën ia paraqita organeve kompetente të shtetit, me propozim që pas hetimit të rastit, kryetarin Tërnava ta dënojnë sipas ligjit. Më gjerësisht lexoni Kallëzimin penal”, ka shkruar Behrami në profilin e tij në facebook.

Express për këtë rast ka provuar të kontaktojë edhe vetë Naim Tërnavën ndërkohë ai ka qenë i zënë. Nga BIK-u, ndërkohë nuk kanë qenë të qasshëm.

Emin Behrami dhe Naim Tërnava janë përplasur edhe më herët rreth një skandali seksual për të cilin Behrami pretendonte se kishte ndodhur në medresenë që ‘Alaudin’.

Komento: