Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë nuk i ka furnizuar as sivjet nxënësit me tekste shkollore, por i ka subvencionuar financiarisht prindërit pas aplikimit që kanë bërë këta të fundit nëpërmjet platformës E-Kosova.
Kjo formë e furnizimit individualisht me libra kishte nxitur një valë kritikash dhe përplasjeje politike, ku opozita dhe sindikatat kanë shprehur kundërshtimin e tyre të ashpër, duke e cilësuar si të dështuar dhe të pavlefshëm.
Për shkak të refuzimit nga pozita, Komisioni hetimor parlamentar për hetimin e teksteve shkollore ka dështuar në mungesë kuorumi qe tri here në mungesë kuorumi.
Kryetari i Komisionit, Shemsedin Dreshaj, ka thënë se ky komision fatin do ta ketë si të tjerët, të mos përfundojë punën e vet.
“Po e shihni atmosferën, po bëhet fjalë për një bojkot komplet të strukturave qeverisëse që për herë të tretë radhazi nuk krijojnë kushtet që Komisioni të vazhdojë punën…ky vend duhet ta kuptojë një gjë. Që ky komision s’ka pasur qëllime të këqija, por vetëm të shihet metodologjia më e mirë dhe më e lirë për furnizimin me tekste”, deklaroi Dreshaj për Front Online.
Në një zhvillim të ri, sot anëtarët e Komisionit Hetimor për Tekstet Shkollore kanë dorëzuar një kallëzim penal kundër ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci, në Prokurorinë Speciale.
Kallëzimin penal e kanë dorëzuar deputetët njëherit dhe anëtarët e këtij komisioni, Shemsedin Dreshaj (kryetar), Ardian Kastrati (nënkryetar), dhe deputetët Bekim Haxhiu, Vlora Dumoshi dhe Agim Veliu.
Kryetari i Komisionit Hetimor për Subvencionimin me tekste shkollore, Shemsedin Dreshaj ka njoftuar se ka shkelje me bazë ligjore në raportin final të procesit në intervistimin e zyrtarëve të arsimit në vend.
“Komisioni Hetimor për Subvencionimin e Teksteve shkollore për vitin 2023/2024, ka punuar me mandate nga Kuvendi I Kosovës. Ka përmbyllur një proces të intervistimit në prani të ekspertëve të emëruar nga mazhoranca dhe opozita. Ky proces është mbyllur me një raport final, i cili ka mjaft gjetje të shkeljeve ligjore dhe ka bazë për hetimin e mëtejmë prokurorial lidhur me përgjegjësinë e individëve që janë marrë me këtë proces”, u shpreh Dreshaj para mediave.
Deputetja e VV-së për kallzimin penal ndaj ministres Nagavci: Kjo është veç fushatë e opozitës
Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Mirlinda Tishukaj, ka reaguar ndaj kallëzimit penal të dorëzuar nga anëtarët e Komisionit Hetimor për Tekstet Shkollore ndaj ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci, duke e quajtur këtë veprim të paligjshëm dhe të pavlefshëm.
Ajo ka theksuar se ka pasur shkelje të rregulloreve dhe ligjit për hetimin parlamentar gjatë këtij procesi. Tishukaj tha se komisioni ka shkelur procedurat e duhura, pasi hetimi, siç thotë ajo, ishte ende në fazën e intervistimit të dëshmitarëve dhe ende nuk ishte arritur një raport final.
‘’ E para me dorëzimin e këtij kallëzimi ka pasur shkelje procedure , e dyta është shkelur rregullorja edhe ligji për hetim parlamentar. Ne kemi qenë në fazën e hetimeve, kemi qenë duke marrë intervistim të dëshmitarëve’’, tha Tishukaj për FrontOnline.
Sipas saj, shumica parlamentare nuk ka qenë e përfshirë në mënyrën e duhur dhe nuk ka miratuar asnjë raport në komision.
Ajo e konsideron draft-raportin si të paligjshëm dhe pa legjitimitet, pasi nuk është votuar nga anëtarët e komisionit, siç e kërkon ligji.
‘’Neve absolut nuk na kanë marrë parasysh si shumicë parlamentare, për mua ai draft raport se as raport nuk mund ta quaj sepse për mua është jo ligjor sepse ai është dashur të votohet në komision siç e thotë edhe ligji’’, tha deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje.
Po ashtu, Tishukaj ka mbrojtur ministren Nagavci, duke thënë se ajo ka dhënë një shpjegim të qartë dhe të detajuar mbi përdorimin e fondeve për tekstet shkollore, duke theksuar se ka ndjekur procedurat e duhura dhe ka siguruar transparencë për procesin. Sipas Tishukaj, ky veprim i komisionit është një përpjekje e opozitës për të politizuar çështjen dhe për të përdorur këtë proces hetimor në mënyrë të paqartë dhe jo legjitime
‘’Besoj që ministrja kur e ka dhënë deklaratën e saj e ka thënë shumë qartë se në cilat kode buxhetore janë marrë paratë si janë asistuar prindërit, si ka funksionuar procesi. Kjo është veç fushatë e opozitës, ky është draft raport jo I votuar që nuk ka legjitimitet ligjor’’, përfundoi Tishukaj.
Kryetari i SBASHK-ut: Ne gjithmonë kemi qenë kundër procesit të subvencionimit të teksteve shkollore
Në lidhje me kallëzimin penal ka reaguar edhe Rrahman Jasharaj, kryetar i SBASHK-ut.
Ai ka shprehur kundërshtimin e sindikatës ndaj këtij procesi, duke theksuar se ata kanë qenë gjithmonë kundër subvencionimit të teksteve dhe e kanë kritikuar publikisht këtë veprim.
‘’ Ne si SBASHK gjithmonë kemi qenë kundër këtij procesi të subvencionimit të teksteve ,ne jemi shprehur kundër publikisht’’, tha Jasharaj për FrontOnline.
Jasharaj shtoi se SBASHK-u ka kërkuar takime me Ministrinë e Arsimit për të diskutuar këtë çështje, por ministrja Nagavci nuk i ka takuar që dy vjet, pavarësisht kërkesave të shumta përmes shkresave.
‘’Ne këtë ia kemi thënë zëvendës ministrit Taulant Kelmendi sepse ministrja Nagavci nuk na takon tash e dy vite edhe pse kemi kërkuar përmes shkresave’’, tha Jasharaj.
Ai theksoi se, sikur të ishte vepruar siç duhet me një marrëveshje transparente dhe të drejtpërdrejtë me botuesit, librat do të ishin shpërndarë në shkolla dhe jo në librari, siç ka ndodhur dhe as ky kallëzim nuk do të kishte ndodhur
‘’ Edhe ky kallëzim nuk do të ndodhte sikur të veprohej siç duhet, të bëhej me kohë marrëveshja me shtëpi botuese në mënyrë transparente të drejtpërdrejte dhe librat të shkonin në shkollë e jo në librari pastaj të kemi vonesa në pajisje me libra’’, theksoi Jasharaj.
Jasharaj pohoi se gabimi i vitit të kaluar është përsëritur, duke krijuar vonesa në shpërndarjen e teksteve dhe probleme në pajisjen e shkollave me libra. Sipas tij, ky proces ka dështuar
‘’ Pra është përsëritur gabimi I vitit të kaluar edhe pse të gjithë e kemi kundërshtuar këtë proces sepse ka shkaktuar vonesa në proces’’, përfundoi Jasharaj.
Njohësi i arsimit: Procesi i furnizimit me tekste shkollore ka qenë i dyshimtë nga fillimi
Po ashtu, edhe njohësi i çështjeve të arsimit, Argjend Osmani, ka komentuar këtë proces.
Ai e cilësoi furnizimin me tekste shkollore si një proces të dyshimtë dhe të komplikuar pa nevojë.
‘’ Procesi I furnizimit me tekste shkollore ka qenë I dyshimtë nga fillimi dhe është komplikuar pa nevojë ‘’, tha Osmani për FrontOnline.
Sipas Osmanit, ky proces ka qenë jo efikas dhe turbullt që nga fillimi, dhe ai theksoi se duhet të hetohet dhe analizohet në detaje.
Ai gjithashtu u shpreh se është përgjegjësi e gjykatës për të nxjerrë një vendim për këtë çështje, por gjithsesi, procesi sipas tij ka qenë jo efikas I turbullt
‘’ Normalisht Gjykatës i takon të nxjerrë vendimin mbi këtë çështje mirëpo pa dyshim ka qenë proces jo efikas I turbullt dhe si I tillë mendoj që duhet të hetohet e të analizohet në detaje’’, përfundoi Osmani.