I akuzuari Qëndrim Januzi, i cili akuzohet se privoi nga jeta G.H, më 28 maj 2022, me pretendimin se i njëjti ia kishte djegur një veturë vëllait të tij, është deklaruar i pafajshëm për veprën penale të vrasjes.
Këtë deklarim i njëjti e bëri të hënën në Gjykatën Themelore në Ferizaj.
“Më vjen keq, i shprehi ngushëllime familjes, nuk e mohoj se e kam kryer një akt kriminal, mirëpo nuk pajtohem me cilësimet juridike nga ana e prokurorisë, pasi që nuk e kam bërë me dashje apo me ndonjë paramendim”, ka thënë i akuzuari Januzi.
I akuzuari Januzi, në seancën fillestare ka pranuar fajësinë për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366, paragrafi 1 të KPRK-së, ndërsa, lidhur me këtë deklarim palët në procedurë nuk e kanë kundërshtuar pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarit, e më pas e ka aprovuar edhe gjyqtari i çështjes, Habib Zeqiri.
Kështu, gjyqtari i çështjes, Habib Zeqiri, e ka njoftuar të akuzuarin lidhur me të drejtën e tij për kundërshtim të provave dhe parashtrim të kërkesës për hudhje të aktakuzës, brenda afatit të paraparë ligjor.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë, me datë 28 Maj 2022, rreth orës 00:53, në Ferizaj, në rrugën “Rexhep Bislimi”, përkatësisht para hyrjes së marketit “Euro Market”, i pandehuri me dashje dhe përgatitje paraprake ka privuar nga jeta tani të ndjerin G.H, në atë mënyrë që pas një mosmarrëveshje të mëhershme lidhur me një veturë të vëllait të tij për të cilën i pandehuri ka pretenduar se i është djegur nga ana e tani të ndjerit, me ç’rast me të takuar të ndjerin, ka shtënë gjashtë (6) herë në drejtim të tij me armë zjarri, të tipit “SAUER model 38 H” e kalibrit 7.65mm dhe si pasojë e të shtënave nga plagët e marra i ndjeri ndërron jetë ashtu siç është konstatuar në raportin e autopsisë, me të cilin konstatohet shkaku i vdekjes, e cila ka ardhur si pasojë e plagëve të marra nga predhat e armës së zjarrit”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë lidhur me ngritje të aktakuzës.
Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë” nga neni 173, paragrafi 1, nënparagrafi 1.5 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
“Po ashtu, sipas aktakuzës, i pandehuri Q.J., nga koha e pa përcaktuar e deri me datën 28.05.2022, në Ferizaj, pa autorizim dhe në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm lidhur me armët në Kosovë, ka poseduar armën e markës “SAUER model 38H” e kalibrit 7,65 x 17mm, me një karikator me kapacitet prej (8) tetë fishekëve të kalibrit 7.65x17mm, me të cilën armë kishte kryer veprën penale të përshkruar si në dispozitivin e I të kësaj aktakuze, ku e njëjta sekuestrohet”, thuhet tutje.
Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366, paragrafi 1 të KPRK-së,
Prokuroria Themelore në Ferizaj, me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës kompetente në Ferizaj, që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, i pandehuri i lartcekur të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit për veprën penale për të cilën akuzohet./Betimi për Drejtësi/