Kamerat në vendvotime, anëtari i KQZ’së: Do të vendosen në anën e kundërt të kabinave të votimit

14:33 | 09 Prill 2024
kamerat-ne-vendvotime,-anetari-i-kqz’se:-do-te-vendosen-ne-anen-e-kundert-te-kabinave-te-votimit

Anëtari i KQZ’së nga PDK, Arianit Elshani, në mbledhjen e sotme ka prezantuar procedurën për përdorimin e kamerave në qëndrat e votimit në votimin e 21 prillit.

Elshani ka thënë se kamerat do të vendosen në anën e kundër të kabinave të votimit.

“Këshilli për Operacione  Zgjedhore po ashtu ka shqyrtuar edhe procedurën për regjistrimin me kamera vëzhguese në vendvotime. Kjo procedurë vjen si rezultat i miratimit të ndryshimeve në Ligjin për Zgjedhje të Përgjithshme si dhe rregullave zgjedhore të miratuara së fundi nga KQZ të cilat parashohin rritjen e transparencës brenda vendvotimeve dhe monitorimin dhe uljen e parregullsive që ndodhin në vendvotime. Në të kaluarën kemi huazuar kamera nga Shqipëria për procesin e monitorimit në QNR, kësaj radhe janë huazuar kamera për procesin e vendvotimit dhe këto kamera do të përdoren në vendvotime sipas rregulloreve dhe Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme. Të rregulluar këtu në procedurë kemi të gjithë procesin se si do të bëhet regjistrimi në vendvotime, pra ato do të vendosen në anën e kundërt të kabinave të votimit, pra nuk do të cenohet fshehtësia e votës së votuesve por do të monitorohet i gjithë aktiviteti që zhvillohet nga anëtarët e këshillit të vendvotimit, në këtë rast nga komisionerët dhe vëzhguesit në vendvotim.”

“Meqë ende nuk kemi kontraktuar si KQZ blerjen e kamerave na duhet t’i testojmë, pra të fillojmë me procedurën e testimit dhe të shkojmë sipas rregullores zgjedhore për vendvotime dhe numërim në vendvotime”, tha ai.

Ai bëri të ditur se kamerat nuk do të kenë incizim të zërit.

Elshani rekomandoi që kjo procedurë të miratohet, derisa shtoi se mund të ketë ndryshime.

Anëtari tjetër i KQZ’së, Sami Kurteshi e pyeti Elshanin se kur do të shkatërrohen pamjet nga kamerat.

Elshani tha se është paraparë që pamjet të shkatërrohen në momentin kur shkatërrohen fletëvotimet.

Me 10 vota për, 1 abstenim është miratuar procedura për përdorimin e kamerave.

Komento: