Kurz thotë se nuk ka zgjidhje për Kosovën pa mbështetjen e fuqive të mëdha
Kancelari austriak, Sebastian Kurz, thotë se arritja e rezultatit të dialogut Kosovë-Serbi, nuk mund të bëhet pa mbështetjen e fuqive të mëdha.
Kancelari austriak, Sebastian Kurz, ka thënë se është në interes të shtetit të tij që të jetë në partneritet të ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës kur bëhet fjalë për Ballkanin Perëndimor, transmeton lajmi.net.
Sa i përket zgjidhjes së çështjes Kosovë-Serbi, Kurz ka thënë se çdo zgjidhje e mundshme e problemit Kosovë-Serbi duhet të mbështetet me fuqitë e mëdha, veçanërisht anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB).
Siç shkruajnë mediet serbe, Kurz po ashtu ka theksuar se qytetarët serbë duhet të jenë të vetëdijshëm se pa një progres të qartë në marrëdhëniet midis Serbisë dhe Kosovës, Serbia nuk do të jetë në gjendje të bashkohet me Bashkimin Evropian.
“Është në interesin tonë të jemi në partneritet të ngushtë me Shtetet e Bashkuara kur bëhet fjalë për Ballkanin Perëndimor dhe kemi mbështetjen e tyre në inkurajimin e përparimit në arritjen e një zgjidhjeje për këtë çështje të rëndësishme”, tha Kurz në një intervistë dhënë për revistën “Cord”, transmeton më tutje lajmi.net.
Kurz në këtë intervistë po ashtu ka thënë se, qytetarët serbë duhet të jenë të vetëdijshëm se pa normalizimin efektiv dhe të qartë të marrëdhënieve midis Beogradit dhe Prishtinës nuk do të ketë pranim në BE.
“Kemi marrëdhënie të mira me Serbinë dhe Kosovën, po përpiqemi ta mbështesim sa më shumë procesin e dialogut”, u shpreh kancelari austriak.
Sa i përket anëtarësimit të Serbisë në Bashkimin Evropian, Kurz tha se një numër reformash duhet të zbatohen për t’u bashkuar me BE-në dhe se sipas tij, numri i reformave tashmë është kryer në Serbi nën udhëheqjen e presidentit Aleksandar Vuçiq.
I pyetur nëse pranimi i Serbisë dhe i vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor është hequr përkohësisht nga agjenda e Brukselit, duke pasur parasysh zhvillimet aktuale brenda BE-së, Kurz theksoi se një gjë e tillë nuk është aspak e vërtetë.