Kandidati i PDK-së për kryeministër: Temë kryesore e dialogut me Serbinë do të jetë çështja e Luginës së Preshevës

13:29 | 05 Janar 2021

Hoxhaj: Temë kryesore e dialogut me Serbinë do të jetë çështja e Luginës së Preshevës.

Ushtruesi i detyrës së kryetarit të PDK-së, njëherit edhe kandidat për kryeministër, Enver Hoxhaj, ka thënë se PDK-ja do të garojë në zgjedhje me ekipin dhe programin më të mirë.

Hoxhaj në një konferencë për media ka thënë se partia e tij e ka pikë të dobët Luginën e Preshevës. Ai ka bërë një mori premtimesh për shqiptarët e asaj pjese.

Ai ka thënë se temë kryesore në dialogun me Serbinë do të jetë çështja e Luginës dhe të drejtave të shqiptarëve atje.

Hoxhaj ka shtuar se në listën e tyre për deputetë do t’i keni dy kandidatë nga Presheva.

“Nëse Millosheviqi para 21 vjetësh ka rënë si regjim në Serbi dhe në qershor 1999 i erdh fundi në Kosovë, nëse ka pjesë të Jugosllavisë ku edhe vazhdon një politikë e Millosheviqit, është ajo e Preshevës. Jemi të shqetësuar për gjendjen atje, ka diskriminim tepër të madh ekonomik atje. Në gjitha pozitat që ka pasur PDK-ja ne i kemi kushtuar vëmendje Luginës së Preshevës”, ka thënë ai.

Ai tutje ka shtuar se do të miratojnë një ligj të veçantë në rrafshin financiar, politik, ekonomik e kulturorë ku mund të mbështetën shqiptarët e Preshevës.

Hoxhaj ka thënë se do ta amandamentojnë ligjin për shtetësi, dhe të gjithë shqiptarët e Luginës që duan shtetësi të Kosovës, do ta marrin.

“Do të ketë kuota të rritura për studentët nga Presheva. Do t’i hapim katër pika të reja kufitare për rritje të qarkullimit të Kosovës dhe Kosovës Lindore. Do të krijojmë fond prej 5 milionë eurosh për kthimin e preshevarëve”, ka thënë ai.

I pyetur se ku do t’i marrë paratë pas premtimit për rritjen e pagave të disa sektorëve, ai nuk ka dashur të flasë, duke thënë se sot ka dalë të flasë për Luginën e Preshevës.

Hoxhaj i pyetur nëse synon ta bashkojë Luginën me Kosovën ai ka thënë se ish-presidenti Hashim Thaçi ka pasur qëndrimin që Lugina të bashkohet pa cenuar integritetin dhe kufijtë e Kosovës.

“Ndërsa qëndrimi im është se ka shumë rendësi që ta përmbyllim shtetësinë e Kosovës. Jam pa konkurrencë dhe vetëm telefonatat që i kam pranuar e të cilat si bëjë publike, ka një mbështetje te partnerët ndërkombëtarë se kush duhet ta udhëheqë qeverinë”, ka thënë ai.

Duke folur për koalicionet eventuale, ai ka thënë se ende nuk kanë biseduar lidhur me këtë çështje dhe se qëndrimi i PDK-së është të garojë me identitetin dhe logon e saj.

Komento: