
Prindërit tashmë kanë nisur të blejnë tekstet shkollore, pavarësisht se Ministria e Arsimit dhe Shkencës u ka bërë thirrje të presin publikimin e katalogut përfundimtar dhe çmimeve. Sinjali ka kontaktuar librarinë “Dukagjini”, nga ku kanë konfirmuar se shitja e teksteve mësimore do të nisë më 24 gusht.
Ndërkohë, shtëpia botuese “Albas” në Prishtinë ka konfirmuar për Sinjalin se furnizimi i librarive me tekste mësimore për klasat 1–9 tashmë ka nisur.
“Duke ndjekur praktikën dhe logjikën e punës së viteve të kaluara, ne kemi filluar furnizimin e librarive me tekste mësimore për klasat 1–9, procesi i furnizimit ka nisur më herët dhe është duke vazhduar, në mënyrë që libraritë të pajisen me tekstet përkatëse. Sa i përket interesimit të prindërve, këtë e dinë më së miri vetë libraritë, të cilat janë pikat ku realizohet shitja e teksteve te prindërit. Megjithatë, bazuar në informacionet që kemi, edhe gjatë këtyre ditëve ka pasur interesim për blerjen e teksteve mësimore. Natyrisht, kërkesa pritet të rritet me fillimin e shpërndarjes së mjeteve për blerjen e teksteve dhe me afrimin e fillimit të vitit të ri shkollor.”.
Sa i përket katalogut, shtëpia botuese ka bërë të ditur se ai tashmë u është shpërndarë librarive.
“Katalogun e teksteve mësimore ua kemi shpërndarë librarive, ndërsa secili libër e ka të shënuar çmimin përkatës në pjesën e pasme.”, thanë ata për Sinjalin.
Nga ana tjetër, MASH mbrëmë u ka bërë thirrje prindërve dhe kujdestarëve ligjorë që të mos nxitojnë me blerjen e teksteve mësimore dhe materialeve shkollore, pasi procesi i negocimit të çmimeve me shtëpitë botuese ende nuk ka përfunduar.
MASH ka bërë të ditur se katalogu përfundimtar i teksteve mësimore, së bashku me çmimet përkatëse, ende nuk është publikuar në faqen zyrtare të ministrisë.
“Pas përfundimit të procesit të negocimit me shtëpitë botuese, Ministria e Arsimit dhe Shkencës do të publikojë katalogun përfundimtar me çmimet e teksteve mësimore dhe do të përcaktojë shumën përkatëse për blerjen e librave për secilin nxënës. Andaj u bëjmë thirrje prindërve dhe kujdestarëve ligjorë që të presin publikimin zyrtar të katalogut dhe të mos bëjnë blerje paraprake të teksteve mësimore. Njëkohësisht, Ministria u bën thirrje librarive dhe shitësve të teksteve mësimore që të mos fillojnë shitjen e librave para përfundimit të procedurave dhe publikimit të njoftimit zyrtar nga Ministria”, ka njoftuar Ministria e Arsimit.
Thirrja e ministrisë ka nxitur edhe reagime në rrjetet sociale, veçanërisht nga prindër që tashmë kanë nisur të sigurojnë tekstet për vitin e ri shkollor.
“E kush është fajtor që librat kanë filluar të shiten, unë që i kam blerë apo shteti që rri në gjumë?”, ka shkruar një prind në postimin e Gazetës Sinjali në Facebook.
Kujtojmë se ekzekutimi i mjeteve për subvencionimin e blerjes së teksteve shkollore ende nuk është bërë.