Shëndetësia kosovare ka kohë që është në një kaos të vërtetë.
Për shkak të numrit të madh të pacientëve në Klinikën Obstetrike Gjinekologjike ka raste kur dy pacientë duhet të qëndrojnë në një shtrat. Ndonëse pacientët detyrohen t’i ndajnë shtretërit me pacientë të tjerë, drejtori i kësaj klinike nuk e ka parë të nevojshme zgjerimin e hapësirës së kësaj klinike.
Drejtori i Klinikës së Gjinekologjisë, Jakup Ismaili, ka bërë të ditur për gazetën Zëri se vetëm gjatë vitit 2018 në këtë klinikë kanë pranuar 18 mijë e 6 pacientë, ndërsa sipas tij që nga muaji janar i këtij viti e deri tani kanë pranuar 6 mijë e 982 pacientë.
Ismaili ka treguar se brenda ditës në këtë klinikë kërkojnë trajtim deri në 100 pacientë.
Kushtet në Klinikën Obstetrike Gjinekologjike janë relativisht të mira. Nuk mund të themi që jemi në nivel me perëndimin, por nuk është edhe për t’u nënçmuar. Brenda ditës Klinikën e frekuentojnë deri në 100 pacientë, varësisht nga dita. Po aq ka edhe lëshime. Numri mesatar i lindjeve është diku 25 lindje brenda 24 orëve”, ka thënë ai për “Zërin”.
Përndryshe, Ismaili ka shprehur nevojën edhe për rritjen e numrit të intervenimeve në këtë klinikë e po ashtu edhe rritjen e numrit të stafit të mesëm.