Kaos në “Viva Fresh” në Mitrovicë, gjarpri shastisë klientët dhe punëtorët – dy gra dërgohen në spital

14:51 | 08 Maj 2026

Një ngjarje e pazakonshme ndodhi të enjten pasdite në supermarketin “Viva Fresh” në Shupkovc të Mitrovicës. Një gjarpri që hyri këtu ia panë sherrin dy punëtore.

Ato nuk u ndjenë mirë dhe kërkuan ndihmë mjekësore për shkak të ndikimit te to të sprejit paralizues ushtarak të cilin e kishte hedhur në hapësirat e marketit një punëtor i sigurimit, për të larguar zvarranikun.

Rastin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti, cili bëri të ditur se rasti është iniciuar për veprat “mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armës” dhe “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”.

Sipas policisë, i dyshuari, mashkull kosovar, kishte përdorur sprejin paralizues brenda marketit, me ç ‘rast dy punëtore kanë pësuar pasoja dhe kanë kërkuar trajtim mjekësor.

“Lidhur me rastin e lartcekur, si pasojë e përdorimit të sprejit nga i dyshuari mashkull kosovar, ndihmë mjekësore kanë pranuar dy viktimat femra kosovare. Me vendim të prokurorit, i dyshuari pas intervistimit lirohet në procedurë të rregullt”, deklaroi Zahiti, për KosovaPress.

Ndërkohë, nga Spitali Rajonal i Mitrovicës “Dr.Sami Haxhibeqiri”, kanë bërë të ditur se dy gratë kanë marrë ndihmë emergjente dhe më pas janë liruar për në shtëpi.

Zëdhënësi i spitalit, Shpend Fazliu, tha se ato janë paraqitur në spital mbrëmjen e së enjtes rreth orës 18.

“Mbrëmë rreth orës 18:00 kanë ardhur në Spitalin Rajonal të Mitrovicës. Janë liruar menjëherë në shtëpi pas ndihmës emergjente”, tha Fazliu.

Agjencia kosovare e lajmeve raporton se është duke bërë përpjekje të marrë edhe qëndrimin e përfaqësuesve të marketit në lidhje me këtë ngjarje të pazakontë, por deri në momentin e publikimit nuk ka marrë pergjigje.

Komento: