
Dogana e Kosovës ka njoftuar se ka zbuluar 63 mijë e 400 euro të padeklaruara në pikën e lalit kufitar me Serbinë në Merdar.
Dogana tha se gjatë kontrolleve të detajuara të autobusëve që hynin në territorin e Kosovës, zyrtarët doganorë kanë ndaluar një autobus që qarkullonte në relacionin Gjermani–Kosovë dhe aty gjetën paratë e padeklaruara, në bagazhin e shoferit.
“Sot, në Pikën e Kalimit Kufitar në Merdare, zyrtarët e Doganës së Kosovës kanë organizuar kontrolle të detajuara të autobusëve që hynin në territorin e Republikës së Kosovës. Gjatë kontrollit të një autobusi që qarkullonte në relacionin Gjermani–Kosovë, zyrtarët doganorë kanë zbuluar 63,400.00 euro të padeklaruara. Paratë ishin fshehur në bagazhin personal të drejtuesit të autobusit”, thuhet në njoftimin e Doganës.
Mjetet monetare janë ndaluar, ndërsa rasti është iniciuar për trajtim të mëtejmë në përputhje me legjislacionin në fuqi, tha Dogana.
“Dogana e Kosovës rikujton të gjithë udhëtarët se bartja e mjeteve monetare përtej kufirit duhet të deklarohet në përputhje me kërkesat ligjore. Kontrollet e shtuara do të vazhdojnë me qëllim të parandalimit dhe luftimit të bartjes së paligjshme të parave dhe formave të tjera të kriminalitetit ndërkufitar”, thuhet në njoftim.