
Mbi 17 kilogramë substancë narkotike e dyshuar si marihuanë janë sekuestruar nga Policia e Kosovës në Kaçanik, ndërsa dy persona janë arrestuar nën dyshimin për përfshirje në veprimtari të paligjshme me narkotikë.
Sipas njoftimit të policisë në Facebook, rasti ka ndodhur dje rreth orës 17:30, kur hetuesit e Stacionit Policor në Kaçanik tentuan të ndalonin për kontroll një veturë, por drejtuesi i saj arriti t’i shmangej përkohësisht ndalimit policor.
“Më pas njësi të ndryshme policore arrijnë që veturën ta lokalizojnë dhe ta ndalojnë. Policia, konkretisht hetuesit policorë nga Njësia e Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë (DHTN)- Ferizaj, duke kontrolluar rrugën nga dyshohej se ishte larguar vetura, në një vend me mbeturina kanë gjetur të hedhura tre thasë me substancë që dyshohet të jetë narkotike e llojit marihuanë. Substanca narkotike dyshohet të jetë hedhur nga vetura që i ishte shmangur ndalimit policor”, thotë Policia.
Policia bëri të ditur se pesha e përgjithshme e substancës së konfiskuar është 17 kilogramë e 834.6 gramë. Në kuadër të hetimeve janë sekuestruar edhe dëshmi të tjera relevante.
“Nën dyshimin për përfshirje në veprën penale ‘Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikeve, substancave psikotrope dhe analoge’, janë arrestuar dy të dyshuar: F.K., (viti i lindjes 1961, mashkull shtetas i Republikës së Shqipërisë) dhe A.C.., (viti i lindjes 2001, mashkull shtetas i Republikës së Maqedonisë së Veriut).
Për rastin është njoftuar prokurori kujdestar i PTh Ferizaj dhe në koordinim më të është trajtuar rasti. Me aktvendim nga prokurori, dy të dyshuarit janë dërguar në mbajtje deri në 48 orë”, thotë PK.