Kapet i dyshuari që kërcënoi me jetë Presidenten Vjosa Osmani – ky është 40-vjeçari që ishte në kërkim

11:10 | 14 Gusht 2026
vjosa-osmani-kercenohet-me-jete-nga-dy-mbeshtetes-te-vv-se

Një person i dyshuar për kanosje serioze me jetë ndaj Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, është kapur nga Policia pasi ishte futur në kërkim, mëson Sinjali.

Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se bëhet fjalë për Bekim Sylejmanin, 40 vjeçar i cili dyshohet se përmes rrjetit social Facebook ka kërcënuar me jetë Presidenten Osmani.

Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, rasti është trajtuar nga Njësia e Hetimeve të Përgjithshme në Prishtinë, e cila gjatë veprimeve hetimore ka arritur ta identifikojë Sylejmanin si personin që dyshohet se qëndron prapa kanosjes.

Hetuesit, sipas të njëjtave informacione, kanë siguruar edhe dëshmi që dyshohet se e lidhin atë me kërcënimin e bërë përmes Facebook-ut.

Pas identifikimit, Policia e ka kërkuar të dyshuarin në adresën e tij, por nuk e ka gjetur. Atij i është lënë ftesë për t’u paraqitur në Polici, mirëpo pasi nuk është paraqitur, Sylejmani është futur në kërkim policor.

Kërkimi ka përfunduar më 13 gusht, kur njësitet e Stacionit Policor në Vushtrri kanë arritur ta lokalizojnë dhe ta ndalojnë 40-vjeçarin.

Pas arrestimit, Sylejmani është shoqëruar në Njësinë e Hetimeve të Përgjithshme në Prishtinë, ku është intervistuar në cilësinë e të dyshuarit.

Pas përfundimit të procedurave, Prokurorja kujdestare ka lëshuar aktvendim për ndalimin e tij dhe 40-vjeçari është dërguar në mbajtje.

Rasti është iniciuar për veprën penale “Kanosja”, ndërsa procedurat e mëtejshme do të zhvillohen në koordinim me organet kompetente. /Sinjali

Komento: