Kaq qytetarë janë vaksinuar në total në Pejë – Ora Info Ballina | ORAinfo.com - Nuk ndalet

Kaq qytetarë janë vaksinuar në total në Pejë

11:03 | 22 Tetor 2021

Vaksinimi në vendin tonë po vazhdon.

Në Komunën e Pejës prej fillimit të procesit të vaksinimit kundër COVID-19 e deri sot janë imunizuar 88 mijë qytetarë. Por me qetësimin e situatës pandemike në vend në këtë qytet ka rënë interesimi dukshëm i qytetarëve për tu vaksinuar.

Kështu ka bërë të ditur për KosovaPress shefi i vaksinimit në Pejë, Dukagjin Sahatçiu i cili theksoi se derisa javë më parë brenda ditës vaksinoheshin deri në 1 mijë e 200 persona, tani po administrohen deri në 400 vaksina në ditë që 300 prej tyre kryesisht janë doza të dyta.

“Në përgjithësi procesi i vaksinimit masiv në Komunën e Pejës është duke shkuar shumë mirë këto ditë kemi një fluks pak më të vogël krahasuar me ditët më parë kur kishim një kolona të gjata të qytetarëve që prisnin për tu vaksinuar momentalisht diku i kemi 400 deri 600 persona në ditë që vaksinohen në këtë qendër. Deri në javën e kaluar kur ka qenë fluksi i madh i kemi pasur deri 1 mijë e 200 persona mesatarisht që janë vaksinuar brenda ditës. Deri më tani në Komunën e Pejës janë vaksinuar 88 mijë persona 35 apo 36 mijë janë edhe me dozën e dytë, ndërsa pjesa tjetër edhe me dozën e parë”, tha ai.

Sahatçiu rënien e fluksit të qytetarëve për tu vaksinuar e ka arsyetuar me qetësimin e situatës me pandeminë COVID-19 në vend.

“Marr parasysh se tashmë pjesa më e madhe e qytetarëve të Pejës janë vaksinuar ata të cilët janë në këtë kalendar të vaksinimit edhe mbi 16 vjet kemi filluar për t’i vaksinuar duke marr parasysh se është qetësuar edhe situata me pandeminë dhe njerëzit janë më të relaksuar vijnë me radhë por jo me panik se do dite ishin në panik”, u shpreh shefi i vaksinimit në komunën e Pejës.

Ai tha se në këtë qendër deri tani kanë funksionuar me 10 ekipe të vaksinimit, por tani aktualisht kanë vetëm katër ekipe.

“Pesë paradite, pesë pasdite por këtë javë kemi filluar kanë ardhur specializantë të rinj vetëm 4 na kanë ardhur grupin e kaluar në dy muajt e kaluar kanë ardhur 12, pra 6 paradite 6 pasdite. Por këtë numër do e kompletojmë me ndihmën e Qendrës të Mjekësisë Familjare nga java e ardhshme do na vijnë dy mjekë dhe do bëhen gjashtë ekipe, plus një ekip mobil ku jam edhe unë dhe vaksinojmë gjatë tërë kohës personat me nevoja të veçanta”, theksoi ai.

Shefi i vaksinimit në komunën e Pejës, Dukagjin Sahatçiu thotë se tek asnjë qytetarë të vaksinuar nuk ka pasur ndonjë simptomë të pazakonshme, kryesisht kanë qenë simptoma të zakonshme.

“Fatmirësisht nuk ka pasur asnjë reaksion të rëndë post vaksinal asnjë rast të rëndë alergjik[…]reaksione të lehta post vaksinale normal kemi pasur në një numër të caktuar si kolabime pas marrjes së vaksinës por reaksione të lehta si dhimbje në vendin e injektimit, enjteje, ethe, temperaturë qe janë normale dhe menaxhohen brenda një apo dy dite”, u shpreh ai.

Në 24 orët e fundit në gjithë Kosovën janë imunizuar gjithsej 6 mijë e 705 persona, ndërsa nga fundi i marsit kur ka nis vaksinimi kundër COVID-19 në gjithë vendin janë administruar mbi 1 milion e 514 doza.

Komento: