Kosova me qendër moderne për trajtimin e sëmundjes më vdekjeprurëse.
35 për qind e vdekjeve në botë vijnë nga sëmundjet e zemrës.
Shifra afërsisht të njëjta janë edhe në Kosovë. Deri në vitin 2017 Kosova nuk ka pasur një qendër 24 orëshe që trajton infarktin dhe kujdesin ndaj zemrës.
Sot Kardiologjia Invazive është pajisur me aparaturë moderne dhe e rinovuar tërësisht për të qenë e gatshme për t’iu përgjigjur të gjitha shqetësimeve që qytetarët tanë kanë me zemër
Madje, kjo qendër ka nisur edhe trajtimin e infarktit në dy orët e para pas sulmit që secili i prekur të ketë mundësi më të mëdha shpëtimi.
Ministri Ismaili ka thënë se është punuar shumë gjatë kësaj kohe që këtë shërbim që ka dëmtuar shëndetin dhe xhepin e qytetarëve ta rregullojnë dhe ta modernizojmë.
Madje, Ismaili ka thënë se janë thyer interesa të mëdha të cilat i kanë shtyrë pacientët jashtë Institucioneve Publike Shëndetësore.
“Janë larguar mundësitë që të ketë keqpërdorime. Dihet që këtu kemi thyer interesa të mëdha të cilat shpeshherë kanë shtyrë pacientët tanë të shkojnë klinikat private dhe të shpenzojnë mijëra e mijëra euro. Kjo është një fitore e madhe për mjekësinë kosovare, fitore e madhe për qytetarët tanë”, ka thënë Ismaili.
Pas nisjes së shërbimit 24 orësh në Kardiologji Invazive është hequr lista e pritjes për stentim e cila vetëm gjatë vitit 2018 u ka shpëtuar qytetarëve rreth 12 milionë euro.
Përveç pajisjes me aparatura moderne, në këtë klinikë është bërë përfundimisht edhe ndarja në mes të punëve administrative dhe atyre mjekësore.
Tashmë të gjitha procedurat administrative menaxhohen nga recepcioni, duke filluar nga: Marrja e informacioneve, tërheqja e dokumenteve dhe caktimi i termineve për koronarografi dhe stentim.