Zëvendës Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit për Ballkanin Perëndimor, Alexander Kasanof, është pyetur edhe për administratën e re amerikane dhe qasjen në dialog.
Ai ka refuzuar të komentojë për politikat e administratës Trump, mirëpo ka thënë se administrata aktuale do të mbetet e përqendruar tek ndihma për Kosovën dhe mbështetja për të.
Ai tha se do të vazhdojnë të përsërisin kërkesën edhe në Kosovë edhe në Serbi, për përpjekje për përparim në dialog.
“E përsëris, … nuk është me vend që të flas për një administratë të re dhe se cilat do të jenë politikat e saj. Kjo administratë, edhe teksa i afrohet fundit, do të mbetet e përqendruar tek ndihma për Kosovën, mbështetja për Kosovën, jo vetëm për reformat dhe përpjekjet që po bëjnë në rrugën e integrimit me strukturat euro-atlantike, por edhe teksa punojnë për çështje që janë në thelb të dialogut të ndërmjetësuar nga BE. Po mbështesim një përfundim të suksesshëm dhe do të vazhdojmë t’u kërkojmë të dyja qeverive në Prishtinë dhe Beograd që të vazhdojnë të bëjnë të gjitha përpjekjet e mundshme për të bërë përparim në atë dialog. Do të vazhdojmë të ndihmojmë në këtë drejtim”, ka thënë Kasanof për VOA.