Kastrati: Nagavci po ndërhyn pastër në kompetencat e komunës

09:24 | 24 Maj 2021

Zhvillimet në Kamenicë, Kastrati: Nagavci po ndërhyn pastër në kompetencat e komunës.

Disa fëmijë, banorë të tjerë dhe një police kanë mbetur të lënduar pas tensioneve të krijuara dje në fshatin Shipashnicë të Poshtme të Kamenicës.

Në këtë fshat, tollovia ku u përdor edhe gaz lotsjellës, nisi kur niveli komunal në kuadër të reformave arsimore të cilat që nga nisja e tyre kundërshtohen nga banorët, erdhën disa inventarë për çerdhe të cilat u futën në shkollën e fshatit, njofton Klan Kosova.

Rreth kësaj çështje, në Sytë 7 në Klan Kosova, ka folur Kryetari i Komunës së Kamenicë, Qëndron Kastrati, i cili tha se hapja e çerdhes është e domosdoshme aty pasi në 57 fshatra nuk ekziston asnjë e tillë përveç asaj në qytet.

“Ditën e diel provuam të shkojmë dhe të furnizojmë objektin me invertarë që t’i ketë të gjitha kushtet për hapjen e një çerdhjeje. Disa banorë penguan hyrjen e zyrtarëve dhe operatorëve të objektit ku do të hapet çerdhja. Ankesa e tyre ishte të mos hapet çerdhe sepse dëshirojnë të mbetet shkollë siç ka qenë. Komuna ka vendosur që duhet të kombinohet, të shkojë në një fshat tjetër pasi distance është shumë e vogël dhe atje të kombinohen me mësim sepse nuk ka kuptim të ketë klasë me vetëm 5 nxënës”.

Sipas Kastratit, ekziston një grup i caktuar i cili vazhdimisht po përdor fëmijët në mënyrë që ata vetë të mos konsumojnë vepra penale.

“Një grup i caktuar po shikon vazhdimisht t’i përdor fëmijët që ata personalisht të mos konsumojnë vepra penale sepse nuk do të ketë ndëshkim për ta, në ndërkohë aty ka pasur disa banorë edhe fëmijë por kanë filluar të gjuajnë veturën e komunës fillimisht me vezë e cila nuk ishte problem sepse ishte si protestë simbolike por kur kanë filluar ta gjuajnë veturën me gurë atëherë erdhi policia në mënyrë që të ndërpritej gjuajtja me gurë ndaj veturë së komunës. Spreji që ka mbetur aty në hapësirë iu ka shkaktuar një ndjenjë djegie të fëmijëve që kanë qenë aty. Është hera e tretë që është konfirmuar, po përdoren fëmijët”.

Ndër të tjerash, Kastrati tha se hapja e çerdhes në këtë objekt shkollor është një nga gjërat më të mira që po bëhet në Kamenicë por theksoi se nuk e ka përkrahjen e Ministrisë së Arsimit.

Ai tha Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, po ndërhyn pastër në kompetencat e komunës.

“Ajo thirret në program që do ta rrisin numrin e çerdheve përderisa në Kamenicë ne mundohemi të bëjmë një çerdhe e ajo mundohet me dalë dhe me thirr me pengu, me nxit rezistencë”.

Komento: