Kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, ka shprehur shqetësimin e tij për situatën e energjisë elektrike në rajonin e Malishevës, duke thënë se qytetarët po përballen me ndërprerje të shpeshta dhe të pandërprera të furnizimit me energji.
‘’ Kemi problem me rrymë pra ndalje të rrymës edhe atë të shpeshta e të pandërprera’’, deklaroi Kastrti për FrontOnline.
Kastrati ka theksuar se ata janë në vazhdimësi në kontakt me KEDS-in, veçanërisht me ekipin lokal, por problemi vazhdon të mbetet i pazgjidhur. Ai ka përmendur se rrjeti elektrik në disa fshatra të komunës është shumë i vjetër dhe ka mungesa të mëdha furnizimi.
‘’ Vazhdimisht jemi në kontakt me KEDS-in e sidomos me ekipin lokal që punon aty, mirëpo kemi mungesa të mëdha të furnizimit dhe po ashtu rrjeti në disa fshatra të kësaj komune është shumë I vjetër’’, tha Kastrati.
Kastrati ka shtuar se qytetarët janë shumë të shqetësuar dhe kanë reaguar me ankesa dhe protesta për situatën, duke kërkuar zgjidhje urgjente për problemet me energjinë elektrike.
‘’ Qytetarët po ankohen shumë vazhdimisht deri edhe me reagime me protesta dhe ka zëra që janë shumë të revoltuar’’, përfundoi Kastrati.