Kryeministri Ramush Haradinaj ka dhënë një lajm të mirë për kategoritë e luftës.
Kryetari i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve, Xhavit Jashari, ka konfirmuar se kryeministri i Republikës, Ramush Haradinaj, u ka premtuar se do të ketë rritje të pensioneve për disa kategori të luftës.
Në një prononcim për Indeksonline, ai ka thënë se në takimin që zhvilluan me shefin e ekzekutivit shqyrtuan ekskluzivisht çështjen e ngritjes së pensioneve në respektim me ligjin.
“Po, do të ketë rritje për familjet e dëshmorëve, invalidët e luftës… Shpresojmë se do të merren parasysh kërkesat tona dhe do të ketë lëvizje. Në bazë të ligjit për vlerat e luftës pensioni i familjeve të dëshmorit dhe invalidit paraqitet 220% mbi pagën minimale. Me automatizëm do të ngritën pensionet”, është shprehur ai.
Ndryshe, kryeministri Haradinaj në mbledhjen e sotme të qeverisë konfirmoi se do të ketë ngritje për kategoritë e luftës.
“E kemi nderin që t’i shërbejmë gjithë qytetarëve të vendit. Shprehim respekt për familjet e dëshmorëve, martirëve, të pagjeturve përfshirë edhe kategoritë e dhunës seksuale”, është shprehur ai.