Disa orë përpara se gjyqtari Michael Oliver të sinjalizonte fillimin e ndeshjes mes PSG-së dhe Benficës për rrethin e katërt të fazës së grupeve të Ligës së Kampionëve, u zbulua një “telenovelë” e re në klubin francez, me Kylian Mbappen që është në rolin kryesor.
Disa media franceze, duke përfshirë Le Parisien, L’Equipe dhe RMC, si dhe e përditshmja sportive spanjolle Marca, raportuan të martën se lojtari është i frustruar dhe dëshiron të largohet gjatë afatit kalimtar të janarit.
Megjithatë, në përpjekje për të kundërshtuar këtë informacion, Luis Campos, drejtor sportiv i PSG-së dhe dikush shumë i afërt me Mbappen, i tha rrjetit Canal+ se sulmuesi 23-vjeçar nuk i ka thënë kurrë se dëshiron të largohet në janar.
Të nesërmen, gazeta kryeqytetase Le Parisien zbuloi se ka katër arsyet pse sulmuesi francez është i vendosur t’i japë fund aventurës së tij në “Parc des Princes’ sa më shpejt që të jetë e mundur. Kujtojmë se së fundmi ai ka nënshkruar një rinovim kontrate që e lidh atë me klubin deri në qershor të vitit 2025.
Arsyeja e parë që Mbappe e kërkon largimin nga klubi është për shkak të marrëdhënies së dobët që ka me drejtorin aktual sportiv Luis Campos, i cili mbërriti në fillim të këtij sezoni për të zëvendësuar Leonardon në këtë rol.
Portugezi, megjithatë, do të kishte bërë premtime që në fund nuk i mbajti për çështje të rëndësishme. “Ylli parisien ndihet i mashtruar për çështje të rëndësishme”, ka theksuar mediumi në fjalë.
Paralelisht, lindi një tjetër arsye largimi dhe kjo është për shkak të pozicionit të tij brenda fushës. Kryezia i kishte premtuar francezit 23-vjeçar transferimin e një qendërsulmuesi, në mënyrë që ai të bëhej pikë referimi për çdo top në sulm, siç e përkufizoi vetë Mbappe duke përdorur një ton ironik në një nga postimet e tij në Instagram.
Arsyeja e tretë pse ai e ka përcaktuar largimin e tij është për shkak të një teme të bazuar në stilin e lojës. Gjatë nënshkrimit të rinovimit të tij, atij iu tha se sistemi taktik do të evoluonte nga një 4-3-3 në një 4-4-2 me dy sulmues të qartë dhe të tjerët që mbërrinin në krahë. Diçka që nuk mund të realizohej duke mos punësuar një sulmues të pastër.
Së fundmi, arsyeja e katërt dhe e fundit, nuk është gjë tjetër veçse marrëdhënia e tij personale me yjet e mëdhenj dhe mbi të gjitha me Neymarin, me të cilin ndau një debat të zjarrtë në mes të një ndeshjeje lige për ekzekutimin e një penalltie. Që nga ai episod, braziliani vazhdon të supozojë se ishte Mbappe ai që kërkoi shprehimisht te kryesia e klubit që ai të largohej nga ekipi.