Katër policët e bllokuar në veri arrijnë të zhvendosen në stacionin e Leposaviqit

15:04 | 14 December 2022

Zyra për Informim e Policisë së Kosovës konfirmon se katër policë që dyshohet se kishin mbetur të bllokuar për katër ditë radhazi në veri, mbrëmë kanë arritur të lëvizin dhe të dalin në stacionin policor në Leposaviq.

Policia thotë se policët që ishin në detyrë zyrtare kanë arritur të lëvizin deri në stacionin policor në Leposaviq.

“Referuar kërkesës suaj ju informojmë se, njësiti policor në përbërje prej katër zyrtarëve policor të cilët ishin me detyrë zyrtare në atë zonë, të njëjtit veçse kanë lëvizur mbrëmë për në stacionin policor Leposaviq, ku edhe qëndrojnë”, tha policia për Express.

Policia e Kosovës ka njoftuar se edhe sot situata e sigurisë në veri të vendit është e njëjtë. Dy pikat kufitare Jarinje dhe Bërnjak vazhdojnë të jenë të mbyllura, siç dihet për shkak të vendosjes së barrikadave nga grupet kriminale.

Policia thotë se barrikadimi dhe aktet e tjera kriminale kanë vështirësuar punën e institucioneve të sigurisë.

“Aktet kriminale, vendosja e barrikadave, sulmet me armë zjarri e mjete shpërthyese, kanë vështirësuar punën e institucioneve të sigurisë, kanë cenuar lirinë e lëvizjes së lirë të qytetarëve dhe mallrave, por nuk kanë ndaluar punën e Policisë së Kosovës e cila në vazhdimësi është angazhuar maksimalisht në ofrimin e sigurisë ndaj të gjithë qytetarëve dhe vendit”, thuhet në njoftim.

Policia thotë se “në vazhdimësi e kemi bërë të ditur se Policia e Kosovës punën e bazon në vlerat e saja si profesionalizmi, përgjegjësia dhe integriteti, në kuadër të të cilave ofron siguri dhe trajton të gjithë qytetarët pa dallime”.

Komento: