KDI e IKD: Haxhiu mund ta dekretojë Gashin, kërkohet Kryeprokuror me kompetenca të plota

12:45 | 13 Korrik 2026
kdi-e-ikd:-haxhiu-mund-ta-dekretoje-gashin,-kerkohet-kryeprokuror-me-kompetenca-te-plota

Me pesë vota për, nga gjashtë gjithsej, Këshilli Prokurorial i Kosovës, e ka nominuar Zejnullah Gashin kandidat për Kryeprokruror të Shtetit, dhe kësisoj emri i tij tani e pret vendimin final nga ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu.

Sipas Vullnet Bugaqkut nga Instituti Demokratik i Kosovës, kjo e fundit s’ka asnjë kufizim ligjor që ta dekretoj atë.

“Tani, normalisht që i mbetet presidentit të shtetit ta dekretoj kandidatin për Kryeprokuror të Shtetit. Ne si organizatë bëjmë thirrje që sa më shpejt të përfundoj dhe të mos humbim kohë dhe Kosova ta ketë Kryeprokurorin e Shtetit pasi e dimë se kjo pozitë qe një kohë të gjatë është me ushtrues detyre. Ka aktgjykime të Gjykatës Kushtetuese që e kanë bërë të qartë që për shkak të administrimit të procesit të drejtësisë, edhe ushtruesi i detyrës së presidentit nuk ka ndonjë kufizim, unë besoj që s’ka asnjë problem, thjeshtë ta formalizoj dhe ta dekretoj kandidatin për Kryeprokuror të Shtetit. Nuk ka pengesa kushtetuese as ligjore. Ka ekzistuar procesi i amendamenteve kushtetuese atëherë për zgjedhjen e presidentit dhe gjykata e ka sqaruar mjaftë mirë që edhe ushtruesi i detyrës së presidentit mund t’i kryej të gjitha funksionet pa asnjë problem”, tha ai.

Bugaqku vlerëson seKPK e ka pasur një qasje tejet transparente dhe tejet të barabartë gjatë gjithë procesit për zgjedhjen e Kryeprokurorit të Shtetit.

Sipas tij, nuk është vërejtur ndonjë element qoftë i favorizimit apo ndonjë element tjetër gjatë intervistimit të kandidatëve për Kryeprokuror, apo ndonjë përshtatje e pyetjeve apo procedurave gjatë intervistimit që do t’i përshtatej ndonjë kandidati.

Edhe për monitoruesin e Institutit të Kosovës për Drejtësi, Flamur Kabashin, procesi për zgjedhjen e Kryeprokurorit të Shtetit i ka respektuar procedurat dhe standardet e përcaktuara me rregullore dhe legjislacion në fuqi.

Kabashi tha se për dallim prej procesit të kaluar në të cilin kanë qenë disa çështje të cilat e kanë kompromentuar procesin dhe nuk kanë dhënë një emër adekuat për Kryeprokurorit të Shtetit, në këtë proces ka pasur barabarësi mes kandidatëve, objektivitet, konfidencialitet dhe procesi ka qenë transparent në çdo fazë.

Intervistimi i pesë kandidatëve për Kryeprokuror të Shtetit është mbajtur më 1 korrik, ku procesin, përveç organizatave vendore e ndërkombëtare e ka monitoruar edhe KosovaPress.

Komento: