KDI kërkon dorëheqjet e kryetarëve në veri, mundësi për zgjedhje të reja

16:59 | 11 Gusht 2023
kdi-kerkon-doreheqjet-e-kryetareve-ne-veri,-mundesi-per-zgjedhje-te-reja

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) kërkon nga kryetarët e komunave shqiptare në veri që të shqyrtojnë dorëheqjen e tyre për t’i hapur rrugë zgjedhjeve te reja në një afat sa më të shpejt. Sipas KDI-së, kjo është mundësia më e mirë për shtensionimin e situatës në veri.

“Me qëllim që t’i hapet rrugë shtensionimit të plotë, KDI vlerëson që kryetarët aktualë të komunave duhet të shqyrtojnë dorëheqjet nga pozitat e tyre, për t’u mundësuar qytetarëve zgjedhjen e përfaqësuesve të tyre legjitim. Dorëheqjet po ashtu mundësojnë një proces të ri zgjedhor në afate më të afërta kohore, pa vonesa procedurale dhe kosto të dyfishtë”, thuhet në një komunikatë të KDI-së.

KDI thotë se kryetarët ishin zgjedhur në një proces të improvizuar të votimit që, ndonëse plotësoi kriteret minimale ligjore, u karakterizua me dalje tejet të ulët të votuesve, duke e cenuar ndjeshëm legjitimitetin e tyre politik.

Si rezultat i tensionimit të situatës, është arritur një marrëveshje në Bratislavë, në kuadër të së cilës parashihet mbajtja e zgjedhjeve në katër komunat veriore, deri në fund të verës. Megjithatë, KDI e konsideron të gabuar zhvendosjen e komunikimit për zgjedhjet në komunat veriore nga Qeveria vetëm në nivel ndërkombëtar, duke anashkaluar diskutimet me serbët lokal dhe përfaqësuesit e tyre politik.

“Njëkohësisht, KDI u bën thirrje të gjithë qytetarëve të katër komunave veriore, në veçanti atyre nga radhët e komunitetit serb, si dhe subjekteve politike që përfaqësojnë interesat e tyre, që të zotohen se do të marrin pjesë në zgjedhje, me qëllim që dorëheqjet e kryetarëve të mos sjellin një proces të ri por me rezultat të njëjtë”, thuhet në komunikatën e KDI-së.

Gjithashtu, KDI rikujton që legjislacioni ekzistues sekondar nuk është i mjaftueshëm për zhvillimin e procedurës për largimin e kryetarëve, meqë nuk janë të përcaktuara afatet procedurale, mënyra e verifikimit të vlefshmërisë së kërkesës për largim, e as modalitetet për zhvillimin e votimit.

“As iniciativa e MAPL-së për hartimin e një udhëzimi administrativ nuk është e mjaftueshme, meqenëse nevojitet edhe hartimi i akteve nga ana e KQZ-së – si bartëse e procesit të votimit. Megjithatë, legjislacioni sekondar nuk mund të tejkalojë përcaktimet ligjore të parapara me ligjin në fuqi”, konsideron KDI.

Në anën tjetër, ndonëse fokusi institucional dhe ai publik janë tek kryetarët e katër komunave, KDI rikujton që një zgjidhje është e domosdoshme edhe sa i përket kuvendeve komunale përkatëse, “ku përfaqësimi politik nuk reflekton përbërjen demografike të këtyre komunave”.

Komento: