KDI mban diskutime mbi Ligjin për Lobim dhe financat politike në kuadër të konferencës “Rinia për integritet politik”

17:08 | 10 Dhjetor 2024
kdi-mban-diskutime-mbi-ligjin-per-lobim-dhe-financat-politike-ne-kuader-te-konferences-“rinia-per-integritet-politik”

KDI mban diskutime mbi Ligjin për Lobim dhe financat politike në kuadër të konferencës “Rinia për integritet politik”

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), në shënim të 9 dhjetorit – Ditës Ndërkombëtare Kundër Korrupsionit, sot mbajti ditën e dytë të konferencës “Rinia për integritet politik”.

Gjatë kësaj dite u zhvilluan dy panele të rëndësishme me temat “Ku mbeti Ligji për Lobim” dhe “Financat politike dhe trendet e fushatave online në Kosovë.”

Në panelin e parë – përfaqësues nga subjektet politike, diskutuan rreth nevojës për Ligjin për Lobim, vullnetin e subjekteve politike për një ligj të tillë, si dhe transparencën në financimin e partive politike.

Menaxheri i projektit në KDI, Plator Avdiu, ka potencuar rëndësinë e një ligji të tillë dhe elementet që do të duhej përfshirë në mënyrë që të rritet transparenca e financimit të partive politike.

Ndërkohë, Diana Metushi Krasniqi nga KDI shtjelloi analizën për nevojën e Ligjit për Lobim si një mekanizëm kyç për të forcuar integritetin institucional.

Ndërsa përfaqësuesit e partive parlamentare paraqiten vizionin e tyre rreth një ligji për lobimin duke premtuar përkushtimin e tyre për hartimin e tij.

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës- Blerta Deliu Kodra ka folur rreth mundësisë për të pasur një ligj gjatë legjislaturës së ardhshme.

“Sa i përket objektivave të PDK-së, e kuptojmë prioritetin e kësaj çështje. Nuk e di saktësisht nëse është pjesë e planit të PDK-së”, ka thënë ajo duke shtuar se kjo edhe varet prej perspektivës së partisë që merr shumicën në Parlament.

Tutje , deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës – Driton Selmanaj ka theksuar se partia e tij do të angazhohet që kjo çështje të rregullohet me modalitete që mund të marrin si shembuj nga BE dhe SHBA duke shtuar se

“Nuk është prioritet i joni, por do të angazhohemi që nëse jemi pjesë e shumicës parlamentare, të angazhohemi që ta gjejmë një modalitet që i përshtatet Kosovës”.

Edhe deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës – Besnik Tahiri ka folur për rëndësinë e plotësimit të legjislacionit që rrit transparencën e financimit të partive politike.

Ai konfirmoi se Ligji për Lobim nuk është aktualisht prioritet për Grupin Parlamentar të AAK-së dhe nuk është diskutuar deri tani, por shtoi se do të angazhohen për ta përfshirë në agjendën legjislative në të ardhmen.

Kërkohet më shumë transparencë dhe llogaridhënie në financat e partive politike

Në panelin e dytë, ku është diskutuar për financat politike dhe trendet e fushatave online në Kosovë, u verësua se nevojiten kontrolle më rigoroze të financimit dhe shpenzimit të subjekteve politike.

Eugen Cakolli, menaxher i programit në KDI, prezantoi gjetjet e punimit “Kuletat e partive kryesore politike në Kosovë 3.0”, që si raport, analizon raportet vjetore financiare të subjekteve politike dhe ofrohen rekomandime, në prag të fushatës zyrtare për zgjedhjet e 9 shkurtit 2025.

Konferenca e sotme e KDI-së përmbyll aktivitetet e organizuara me rastin e 9 dhjetorit, Ditës Ndërkombëtare Kundër Korrupsion.

Komento: