
Instituti i Kosovës për Demokraci (KDI) ka reaguar pas zhvillimeve të fundit institucionale në vend, duke shprehur shqetësim për situatën e krijuar dhe duke kërkuar qartësim urgjent nga Gjykata Kushtetuese.
Në reagimin e saj, KDI ka shprehur keqardhje që përfaqësuesit politikë në Kuvend nuk kanë arritur të gjejnë zgjidhje për zgjedhjen e Presidentit të vendit, pavarësisht krizave të njëpasnjëshme gjatë vitit të fundit.
“KDI shpreh keqardhje të thellë që, pavarësisht krizave të njëpasnjëshme gjatë vitit të fundit, përfaqësuesit politikë në Kuvend nuk arritën të gjejnë zgjidhje për zgjedhjen e Presidentit të vendit. Mungesa e përgjegjësisë politike dhe institucionale për arritjen e një marrëveshjeje për një çështje kaq të rëndësishme tashmë rrezikon ta fusë vendin në një situatë të paqartësisë kushtetuese”, thuhet në reagim.
KDI thekson se situata aktuale mund të prodhojë pasoja të pakthyeshme dhe për këtë arsye i bën thirrje Gjykatës Kushtetuese që të veprojë me shpejtësi.
“Prandaj, duke pasur parasysh që situata e tanishme mund të prodhojë pasoja të pakthyeshme, i bëjmë thirrje Gjykatës Kushtetuese që, në përputhje me rolin e saj si gardiane e mbrojtjes së rendit kushtetues dhe konform interesit publik, të përdorë mekanizmat proceduralë për trajtim të përshpejtuar dhe të ofrojë qartësi kushtetuese përpara zhvillimit të procesit zgjedhor”, thuhet më tej.
Sipas KDI-së, në një demokraci kushtetuese është thelbësore që vendimet dhe veprimet institucionale të bazohen në një interpretim të qartë të Kushtetutës.
“Në një demokraci kushtetuese, është me rëndësi thelbësore që veprimet e institucioneve që prodhojnë pasoja të mëdha politike dhe institucionale të mbështeten në një interpretim të qartë të Kushtetutës. Asnjë prej proceseve që prekin funksionimin e institucioneve dhe proceset eventuale zgjedhore nuk do të duhej të zhvilloheshin nën një paqartësi kushtetuese”, thekson reagimi.
KDI u bën thirrje akterëve institucionalë dhe politikë që të veprojnë me përgjegjësi dhe të shmangin deklarimet apo veprimet që mund të rrisin paqartësitë kushtetuese dhe tensionet politike.
“Respektimi i rendit kushtetues, maturia institucionale dhe besimi në mekanizmat kushtetues janë thelbësore për ruajtjen e stabilitetit demokratik dhe funksionimin normal të institucioneve të vendit”, thotë tutje reagimi i KDI-së.