
Komisioni Evropian sërish thotë se Kosova i ka përmbushur kushtet për liberalizim të vizave.
KE, edhe përmes Raportit të progresit, që do të publikohet sot, ka përsëritur qëndrimin e shprehur që në vitin 2018, se Kosova i ka përmbushur kushtet për liberalizim vizash dhe ka kërkuar që kjo të trajtohet si “çështje urgjente” në Këshillin e BE-së.
“Qytetarët e Kosovës mbeten të vetmit në rajonin e Ballkanit Perëndimor të cilët kanë nevojë për viza për të udhëtuar në zonën Schengen. Dialogu për liberalizimin e vizave nisi në vitin 2012. Në qershor të vitit 2018, Komisioni konfirmoi se Kosova i ka përmbushur të gjitha kushtet nga udhërrëfyesi për liberalizim vizash dhe i ka rekomanduar Këshillit dhe Parlamentit Evropian që të ecin përpara me propozimin për liberalizim vizash”, thuhet në raport.
Më pas Komisioni shton se “Komisioni vazhdon të qëndrojë prapa vlerësimit të tij të qershorit 2018. Parlamenti Evropian, në dy legjislatura, të mëparshmen dhe të tashmen, ka votuar në favor të propozimit të Komisionit, por ai është ende në pritje në Këshill”.